Sesioni i ri parlamentar/ Ruçi: Reforma zgjedhore prioritet, me konsensusin e opozitës jashtë Kuvendit

02/09/2019 23:03

Në sesionin e ri parlamentar të vjeshtës, maxhoranca kishte përballë sërish opozitarët e rinj, por mendimet i kishte për atë tradicionale jashtë sallës, të cilëve u kërkoi bashkëpunim për ndryshimin e kodit elektoral si ogur i mirë konsensusi, që Shqipërisë t’i hapen bisedimet për anëtarësim në BE.

“Prioriteti i parë do të jetë përmbyllja e reformës zgjedhore. Dora e shtrirë e Kuvendit nuk është mëshirë për djalin planprishës, por harmonizim i konstrukcionalizmit si element thelbësor i demokracisë”, tha Gramoz Ruçi.

Të rinjtë u duk se nuk e pritën mirë vëmendjen e madhe që iu dha opozitës jashtëparlamentare duke kërkuar largimin menjëherë nga bashkë-drejtimi i Komisionit të  Reformës Zgjedhore të socialistit Damian Gjiknuri, ndërsa risollën në vëmendje kërkesën për një sistem të ri zgjedhor.

Demokratja Hajdari nuk harroi të sulmojë Kryeministrin teksa  aludoi për një marrëveshje mes 3 personazheve kryesorë të politikës; Rama, Basha dhe Kryemadhi.

“Një marrëveshje mes Bashës dhe Kryemadhit e bënë sot Ramën perandor, ata kërkuan që Rama të riinstalonte diktaturën në vend”, deklaroi Hajdari.

Kryeministri respektoi rregulloren dhe nuk iu përgjigj akuzave, ndërsa si shenjë të vullnetit për të pastruar politikën nga krimi,  kryetari i grupit socialist,  Taulant Balla paralajmëroi futjen e amendimeve të ligjit,  dekriminalizimit në punimet e komisionit të reformës zgjedhore.

“Rasti i Shkodrës, rast që na bën të jemi të vetëdijshëm që kuadri ligjor ekzistues nuk është ende i plotë dhe në këtë këndvështrim, Edi Rama ka njoftuar dhe do depozitojë në komisionin e reformës zgjedhore si amendamente, shtrëngimet më të ashpra për figurën e kandidatit”, u shpreh Balla.

Ndonëse një seancë e qetë, socialistët  nuk harruan meraqet e vjetra . Kryeparlamenti nuk harroi të thumbojë kreun  e shtetit, i cili këmbëngul ashtu sikurse PD dhe LSI se parlamenti nuk është legjitim.

“Si asnjëherë në historinë e pluralizmi, Kushtetuta u rezistoi aventurave duke shpëtuar kështu sistemin demokratik të Shqipërisë nga anarkia dhe kaosi.  Me gjithë vështirësitë që u shkaktuan me lënien e mandateve nga opozita, kjo gjë nuk pengoi produktivitetin e Kuvendit. 40 nga 58 mandate u zëvendësuan shpejt, që ndihmoi në rikthimin e normalitetit dhe legjitimitetit të Kuvendit”, u shpreh Ruçi,

Me rinisjen e aktivitetit parlamentar riaktivizohet komisioni hetimor që synon shkarkimin e Ilir Metës si president. Të martën pritet mbledhja e parë për këtë sesion.

Top Channel