Ministria e Financave bëri publike detajet se si do të funksionojë sistemi i ri elektronik, përmes të cilit biznesi do të regjistrojë dhe raportojë aktivitetin e tij financiar tek tatimet.
“Duke filluar nga një janari 2020 cdo shitje nga biznesi tek konsumatori do të transmetohet në kohe reale tek tatimet. Duke filluar nga 1 janari 2021 çdo shitje nga biznesi në biznes dhe nga biznesi tek organet publike do të raportohet në kohë reale në serverin e tatimeve”, shprehet Anila Denaj.
Sistemi i ri eliminon kasat fiskale që ka sot biznesi duke i zëvendësuar me një program inteligjent kompjuterik, i cili mund të instalohet në kompjutera apo dhe telefona smart. Drejtoresha e tatimeve sqaroi arsyet se pse kasat do të hiqen nga qarkullimi.
“Kasat janë ndërtuar me teknologjinë 2g dhe po nxirren jashtë përdorimit në të gjithë Europën”, shprehet drejtoreshë e tatimeve, Delina Ibrahimaj.
Sistemi i ri transmeton çdo shitje apo transaksion tjetër që bën biznesi në kohë reale tek serveri i tatimeve. Kjo sipas qeverisë, do të ulë ndjeshëm evazionin fiskal në ekonomi.
“Nuk do ketë më evazion apo fshehje taksash. Biznesi i ndershëm nuk ka pse të mbajë më në kurriz edhe konkurrentët që e konkurrojnë në mënyrë të pandershme duke fshehur taksat. Do ulet korrupsioni në administratë”, shton më tej Denaj.
“Vendet që e kanë zbatuar i kanë rritur me 15 për qind të ardhurat”, u shpreh Delina Ibrahimaj.
Top Channel