Një libër me poezi nga Paul Celan— Përkthyesi: Agron Tufa

Ra borë trishtueshëm. Tash një muaj
a dy që vjeshta në raso murgu
më çoi haber gjithashtu, një gjeth nga shpatet ukrainase:
“përfytyro: tash dimri, për të mijtën herë po hyn
dhe këtu,
në visin ku rrjedh një përrua i gjerë:
gjaku qiellor i Jakovit, bekuar me sakica…
Për akullin e një bukurie jashtëtokësore – hetmani i tyre bredh
me kazakët nën diej të marrtë… Fëmijë, ah, shami,
të më mbështjellësh kur tarogzat shkëndrijnë,
kur ky krep i trëndafiltë të krisë, kur me pluhur të dëbortë
të stërpiket skeleti
i babait tënd, rraposur nën kopitat
e këngës për kedrat…
Shami, shamizë, ja veç një të ngushtë po ruaj
tash kur ti të mësohesh të qash ngushtësinë e botës
përbri meje, e cila kurrë s’do gjethnojë,
o fëmija im, për fëmijën tënd!”
Mama, vjeshta rrodhi gjak prej meje, bora më përvëloi:
kërkova unë zemrën time që me të të qaj, dhe gjeta
frymëmarrjen, ah, të asaj vere.
Ishte ajo, si ti.
Loti çatisi rrëmbimthi. Unë qëndisja shaminë.

Më shumë për autorin
Paul Celan, lindi në Çernovic të Bukovinës (Rumani) në një familje hebreje. Studioi për mjeksi në Tur. Gjatë luftës humbi prindërit. Nga 1942-1943 vuajti në një nga kampet naziste më të tmerrshme të përqëndrimit, prej të cilit iu dha të arratiset në menyre spektakolare. Fundi i luftës e gjen në Bukuresht. Më 1947 Celani largohet në Vjenë, kurse më 1948, në Paris, ku studion për filologji gjermane. Nga viti 1956, Celani është docent në Sorbonë. I dha fund jetës më 1970 duke u hedhur nga një urë e lumit Sena. Të gjitha veprat poetike të Celanit (përveç përmbledhjes së parë të botuar në Vjenë) u botuan nga shtëpitë më të mëdha të RFGJ. Suksesin më të bujshëm e pati libri “Mohn und Gedachtnis” (1952). Ndikimi i Celanit është i madh dhe i tejetshëm. Mund të thuash se me të fillon epoka e re e poezisë së gjuhëve gjermane. Celani ligjëroi me modele metaforike krejtësisht të reja, me strukturë sintaksore krejt të ndryshme: ai çeli një gjuhë të re poetike, çka i mundësoi, si askujt tjetër në poezi, të krijojë imazhin tragjik të shekullit XX, tablotë e rënies së botës, vdekjen e kulturës njerëzore, imazhin e fajësisë së përgjithshme etj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA