Kryeopozitari rus në spital/ Navalny pëson reaksion alergjik akut në burg

28/07/2019 19:53

Figura më e rendesishme e opozitës në Rusi, Alexei Navalny, është dërguar urgjent nga burgu drejt një spitali në Moskë pas një reaksioni alergjik akut.

Zëdhënësja e tij tha se kreu opozitar kishte një enjtje të të gjithë fytyres, diçka që nuk e kishte përjetuar kurrë më parë. Navalni u burgos javën e kaluar për 30 ditë pasi bëri thirrje për protesta të paautorizuara, të cilat u zhvilluan të shtunën.

Më shumë se 1,000 vetë u ndaluan gjatë demonstratave kundër bllokimit të kandidatëve të opozitës në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ndërhyrjen e ashpër të forcave të rendit, Bashkimi Europian e kritikoi si përdorim “jo proporcional force” kundër protestuesve, duke thënë se ajo “minonte lirinë themelore të fjalës dhe të drejtën për grumbullim”.

Situata e Navalnit konsiderohet mjaft e çuditshme nga njerëzit rreth tij, të cilët thonë se 43 vjeçari nuk ka pasur asnjëherë në jetën e tij ndonjë reaksion alergjik. Lideri opozitar bëri emër në vend si aktivisti kundër korrupsionit, i cili udhëhoqi protestat më të mëdha të rrugës ndaj presidentit Vladimir Putin gjatë dimrit të vitit 2011.

Ai është burgosur vazhdimisht, sidomos për përfshirjen në demonstrata të paautorizuara, por gjithashtu edhe për rigjykimin në 2017-tën në një rast përvetësimi fondesh, për të cilin thotë se ishte i montuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA