Shërbimi Informativ Shtetëror i konsideruar si një institucion tejet hermetik ndryshon kurs, duke u bërë më i aksesueshëm për publikun. SHISH ka rinovuar totalisht faqen online të institucionit nga ku për herë të parë, jepen detaje për punën zbuluese në terren që lidhet me kundrazbulimin, terrorizmin dhe krimin e organizuar.
Në të dhënat e publikuara nga SHISH në lidhje me operacionet e agjencive jomike informative apo të sigurisë, thuhet: “Monitorimi i veprimtarive dhe operacioneve të agjencive jomike informative apo të sigurisë, është prioritet madhor për SHISH-in. Me anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe intensifikimin e përpjekjeve për integrim në BE, janë shtuar arsyet pse vendi ynë është objektiv me interes në rritje. SHISH-i vlerëson se, një aktiviteti i shërbimeve informative jomike është i vijueshëm, i qëndrueshëm në kohë, me prirje rritjeje dhe me ndërthurje të metodave klasike me ato hibride. Vërehen prirje për grumbullim informacioni të klasifikuar, aktivitete influencuese, përdorim të hapësirës kibernetike, propagandës online, dezinformim, në favor të synimeve të tyre strategjike.”
Për sa i përket terrorizmit SHISH vlerëson se ISIS/DAESH, Al-Kaeda dhe degët apo grupimet e lidhura me to janë mes grupeve terroriste që paraqesin kërcënim potencial për vendin tonë, rajonin e më gjerë.
“Udhëtimet nga Shqipëria drejt organizatave terroriste, pas vitit 2015 e në vijim, janë ulur ndjeshëm e po shkojnë drejt ndërprerjes. Numri i të raportuarve të vrarë është rritur: 21% e numrit total. Rreth një e treta e tyre janë kthyer tashmë, kryesisht para adresimeve ligjore. Në terma të përgjithshëm, të kthyerit në rajon kanë ruajtur profil të ulët por, shumë prej tyre, të kthyer në vendet e origjinës kanë gjetur të njëjtat kushte jetese, çka ka ndikuar në radikalizmin e mëtejshëm të tyre dhe vijimin e veprimtarive ekstremiste apo bërjen pjesë të komploteve të zbuluara terroriste”, thuhet më tej.
Krimi i organizuar, trafiku i lëndëve narkotike, korrupsioni dhe krimet në ekonomi janë pjesë e punës së SHISH. Për krimin e organizuar SHISH mbërrin në përfundimin se të përfshirët po e sofistikojnë aktivitetin criminal.
“SHISH-i vlerëson se, struktura të tilla kriminale janë agresive, kanë prirje për zgjerim dhe përshtatshmëri, për të shmangur masat e shtuara të agjencive të zbatimit të ligjit, përdorim të teknologjisë, komunikimeve të koduara, dokumenteve të falsifikuara, identiteteve të ndryshme, etj”
Në lidhje me korrupsionin, SHISH thotë është e përqendruar në dukuritë e korrupsionit në nivele të larta në sistemin e drejtësisë dhe administratën publike, në evazionin fiskal në përmasa të mëdha dhe me pasoja të rënda për ekonominë e vendit.
Top Channel