MICHELLE OBAMA

Portreti intim dhe mbresëlënës i zonjës së parë të SHBA-ve, e cila ka frymëzuar botën vjen për herë të parë në një libër autobiografik të shkruar prej vetë asaj, Michelle Obama. Vitrina e Librit këtë javë ka përzgjedhur pikërisht të paraqesë brendinë e këtij libri me botuesen e tij në një bashkëbisedim znj. Arlinda Dudaj.

Kur ishte vetëm një vajzë e vogël, e gjithë bota e Michelle Robinson-it ishte e mbyllur brenda Anës Jugore të Chicago-s, aty ku ajo dhe i vëllai Craig ndanin së bashku një dhomëz në apartamentin e vogël të familjes dhe luanin së bashku në park, Dudaj. Pikërisht në këtë vend, prindërit e saj Fraser dhe Marian Robinson-i, e mësuan të flasë haptaz dhe të mos kishte frikë. Por shumë shpejt jeta e coi shumë larg, nga sallat e Princeton-it, ku mësoi për herë të parë se ç’do të thoshte të ishe në një dhomë e vetmja grua e zezë, deri te qiellgërvishtësi ku punoi si avokate e fuqishme tregtare dhe ku, mëngjesin e një dite vere, një student i juridikut me emrin Barack Obama hyri në zyrën e saj duke ia shpartalluar të gjitha planet.

Në këtë libër, shton A. Dudaj, për herë të parë Michelle Obama përshkruan fillimet e martesës, vështirësitë për të gjetur një ekuilibër mes karrierës, familjes dhe ngjitjes së vrullshme të të shoqit në politikë. Na zbulon debatet e tyre lidhur me mundësinë për të konkuruar për presidencën e Shteteve të Bashkuara dhe na rrëfen për popullaritetin që përjetuan-për kritikat e marra-përgjatë fushatës elektorale. Me finesë, sens humori dhe një sinqeritet të pazakontë, Michelle Obama na ofron gjithë jetën e një familjeje të katapultuar krejt befasisht nën reflektorët e gjithë botës dhe tetë vitet më domethënëse të kaluara në Shtëpinë e Bardhë, gjatë të cilave ajo e njohu më mirë vendin e saj, e vendi i saj e njohu më mirë atë.

Becoming-Të bëhesh, nënvizon botuesja shqiptare na shpie në një udhëtim nga kuzhinat modeste të Iowa-s tek sallat e ballos në Buckingham Palace, nëpër çaste dhimbjesh therëse dhe provash qëndrueshmërie këmbëngulëse, duke na zbuluar shpirtin e një gruaje të veçantë dhe revolucionare, e cila lufton për të jetuar mirë me veten e saj, plotësisht e zonja për të vënë gjithë forcën dhe zërin e saj në shërbim të idealeve më të larta. Duke rrëfyer me ndershmëri dhe kurajë, Michelle Obama na hap një sfidë të gjithëve: cilët jemi në të vërtetë dhe kush dëshirojmë të bëhemi?

Ka ende shumë gjëra që nuk i di për Amerikën, për jetën, për atë çka e ardhmja mund të të sjellë, shkruan Michelle në librin e saj. Por ajo dallon se e njeh mirë veten e saj. Im atë, Fraser, më pati mësuar të punoj fort, të qesh shpesh dhe ta mbaj fjalën. Ime më, shton më tej ajo, më pati mësuar si të mendoj me kokën time dhe si ta përdor zërin tim. Së bashku, në apartamentin e tejmbushur të Anës Jugore të Çikagos, ajo më ndihmoi të zbuloj vlerën në historinë tonë, historinë time, në historinë më të madhe të Amerikës. Edhe kur nuk është e bukur apo e përsosur, edhe kur është më e vërtetë nga ç’do të doja të ishte, përfundon ajo. Historinë tënde e mbart me vete, do ta mbartësh gjithnjë me vete. Është diçka që duhet ta zotërosh tërësisht e të mos e harrosh kurrë.

Për Autoren
Michelle Robinson Obama ka qenë zonja e parë e SHBA-ve nga viti 2009 deri në 2017. Pas diplomimit në universitetin Princeton dhe Harvard, filloi karrierën si avokate në Chicago në studion Sidley & Austin, ku takoi edhe burrin e saj të ardhshëm, Barack Obama-n. Në vijim, gjithnjë në Chicago, punoi në zyrën e kryebashkiakut, në universitet dhe spitalin e të njëjtit institucion. Ndërkaq themeloi seksionin lokal të Public Allies, një organizatë në ndihmë të formimit të të rinjve për karrierë në sektorin publik, jo fitimprurës. Michelle dhe Barack jetojnë aktualisht në Washington dhe kanë dy vajza, Malia dhe Sasha.

Top Channel