Pas një orë diskutimesh midis anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të cilat janë zbardhur nga Top Channel, ky institucion ka miratuar rregulloren ku janë përcaktuar pikëzimi dhe renditja e kandidatëve jo-gjyqtarë që garojnë për Gjykatën e Lartë.

  KLGJ i përgjigjet Metës: Gjykata e Lartë është prioritet kombëtar

Gjykata e Lartë do të ketë 19 anëtarë dhe anëtarët jo-gjyqtarë do të përbëjnë vetëm 1/5 e trupës së kësaj gjykate. Kjo rregullore e miratuar është vlefshme vetëm për kandidatët jo-gjyqtarë dhe jo për kandidatët gjyqtarë.

Top Channel raporton se këta kandidatë duhet të kenë të paktën 15 vite karrierë si juristë të spikatur dhe të kenë merita profesionale, personale dhe organizative. Ata duhet të kenë ekspertizë të spikatur, si dhe të vlerësohen për përgjegjshmëri dhe paanësi.

KLGJ do të marrë parasysh edhe gradat shkencore të juristëve kur të bëjë përzgjedhjen.

Gara për kandidatët pritet të hapet javën e ardhshme, ndërkohë që ata do t’i nënshtrohen edhe intervistave.

Aktualisht Gjykata e Lartë ka mbetur me dy anëtarë: Xhezair Zaganjorin dhe Ardian Dvoranin.

Dy ditë më parë, Ilir Meta i dërgoi një letër KLGJ-së ku kërkonte informacion mbi propozimet për vakancat në Gjykatën e Lartë, por Saimir Visha, eksperti i monitorimit të reformës në drejtësi, në një intervistë për Top Channel, deklaroi se presidenti nuk mund të kërkojë llogari nga KLGJ sepse ky institucion është pushtet i pavarur.

Diskutimet e anëtarëve në mbledhjen e KLGJ, të zbardhura nga TCH

Dritan Hallunaj: Jemi koshientë se si janë bërë më para emërimet në Gjykatën e Lartë. Në lidhje me statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë përcaktuar të gjitha kriteret për emërimin e kandidatëve jo gjyqtarë në Gjykatën e Lartë. Ligji parashikon kriteret që duhet të plotësojë kandidati për GJL. Është më e ndershme që kushdo që garon të shikojë vlerësimet që do të marrë nga KLGJ në bazë të punës së tij.

Brunilda Kadi: Kjo rregullore do të bëjë një renditje mbi tre kritere të bazuara mbi aftësitë profesionale, menaxheriale dhe personale. Ka qenë shumë e vështirë që të përcaktojmë se cilët do të jenë këta indikatorë për secilin kriter ndaj do të bashkangjitet edhe një metodologji.

Medi Bici: Meqenëse unë jam anëtar i KLGJ-së që vjen nga Gjykata e Lartë, dua të them se risia e renditjes në bazë të pikëzimit dhe metodologjisë duhet bërë me shumë kujdes. Ligji shprehet në ndarjen në tre kolegje në Gjykatën e Lartë, por ligji nuk shpreh kush i ndan këto kolegje. Duhet bërë kujdes kur të hapim vendet vakante për t’i barazpeshuar sepse do na lindin vështirësi për kalimin nga Kolegji Penal në Kolegjin Administrativ apo Civil. Metodologjia duhet t’na bëjë neve të shkojmë të gjejmë juristin e spikatur.

Maks Qoku: Ne duhet të jemi të kujdesshëm në zbatimin e tyre, ndaj pas këtij momenti ju sugjeroj t’i japim rëndësi metodologjisë.

Top Channel