Gjykata administrative e apelit i hapi rrugë ekzekutimit të gjobës prej rreth 420 mijë dollarë që autoriteti i konkurrencës ka vendosur ndaj shoqërisë “EKMA Albania” e cila administron tregun agro ushqimor të shumicës në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës.
Trupa gjyqësore do ta shqyrtoj çështjen edhe në themel, por ndërkohë gjatë kësaj kohe vlera e gjobës do të arkëtohet përmes shërbimit përmbarimor.
Gjykata e ka cilësuar të drejtë dhe të mbështetur në prova vendosjen e gjobës, e cila tani mund të arkëtohet.
Abuzimi vërehet në çmimet e qirasë që janë disa herë më të larta se çmimet e aplikuara në këtë zonë, ndërkohë që tregtarët nuk kanë alternativa të tjera për të marrë mjedise me qira.
Po ashtu norma e fitimit sipas raportit të autoritetit të konkurrencës është mjaft e lartë nga qiratë që aplikohen. Tjetër abuzim është ai me çmimet e energjisë dhe ujit që u faturohen tregtarëve, duke aplikuar tarifa shumë më të larta se ato të vendosura nga entet rregulluese. Një shkelje e hapur dhe e rëndë kjo pasi çmimet e ujit dhe dritave nuk mund të ndryshohen nga palë të treta.
Përveç gjobës komisioni i konkurrencës kërkon që kompania pronare e tregut “EKMA Albania” të hartojë kontrata të reja qiraje duke përdorur kushte të barabarta mes palëve. Nëse kompania nuk zbaton vendim, autoriteti i konkurrencës do të vendosë gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore të vitit financiar paraardhës.
Top Channel