Presidenti amerikan Donald Trump do të mbërrijë në Britani këtë të hënë për një vizitë zyrtare shtetërore që do të zgjasë tri ditë.

Mbretëresha Elizabeth pritet të organizojë një banket në “Buckingham Palace” pasditen e kësaj të hëne për presidentin dhe Zonjën e Parë amerikane, Melania Trump. Megjithatë, pritja e presidentit amerikan do të shoqërohet edhe me protesta të planifikuara anembanë Britanisë së Madhe, përfshi mitingjet në Londër, Manchester, Belfast, Birmingham dhe Nottingham.

Përpara vizitës së tij, presidenti Trump tha për “The Sun” se do të mbështeste pretendentin për kryetar të konservatorëve, Boris Johnson, i cili kërkon të bëhet edhe kryeministri i ri i mbretërisë ishullore.

Ai tha për “Sunday Times” gjithashtu se, kreu i “Partisë Brexit”, Nigel Farage duhet përfshirë në negociatat e qeverisë për largimin nga BE-ja.

Sot, presidenti do të zhvillojë një tur në “Westminster Abbey” e do të takohet gjithashtu Princin Charles dhe Dukeshën e Cornwallit në “Clarence House”. Në banket, presidentit Trump dhe Mbretëreshës Elizabeth do t’iu bashkohen edhe Duka e Dukesha e Cambridge.

Megjithatë, Dukesha e Sussexit do të mungojë pas lindjes së djalit Archie, i cili është më pak sesa një muajsh. Presidenti dhe Mbretëresha pritet të mbajnë një fjalim për të ftuarit, mes të cilëve edhe shtetas të shquar amerikanë që jetojnë në Britani.

Presidenti Trump do të qëndrojë në rezidencën e Ambasadorit amerikan, “Winfield House”, pranë Parkut “Regent” në qendër të Londrës. Mëngjesin e së hënës, presidenti Trump dhe kryeministrja në largim Theresa May do të kenë një mëngjes biznesi në “St James’s Palace”, me shumë krerë biznesesh si pjesëmarrës, gjë që do të shoqërohet edhe me një konferencë të përbashkët për shtyp.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA