Përqafimi mes Tottit dhe De Rossit, të dielën e kaluar, do të mbetet një kujtim i pashuar në mendjet e tifozëve të Romës, por ajo fsheh një vit tejet të komplikuar dhe të tensionuar, siç zbulon “La Repubblica”.
Sipas të përditshmes romane ka pasur një konspiracion real të mesfushorit, i cili i dha lamtumirën ekipit verdhekuq në fundin e sezonit, në dëm të ish-numrit 10 të Romës.
Dy gazetarë të “La Repubblica”-s shkruajnë se De Rossi, bashkë me “senatorët” e ekipit, Kolarov, Manolas dhe Dzeko, kanë kërkuar që prej dhjetorit të vitit të kaluar largimin e ish-kapitenit nga “Trigoria”, “duke e zëvendësuar atë me dikë që do të mundej ta mbante larg”. Pas tij, duheshin larguar edhe trajneri Di Francesco dhe drejtori sportiv Monchi.
Gjithçka duket se e konfirmon një “e-mail” i shkruar mëngjesin e 16 dhjetorit nga Ed Lippie, përgatitësi atletik dhe njeriu më i besuar i presidentit Jim Pallotta, me këtë të fundit që ishte destinacioni i mesazhit elektronik.
Presidenti që ndodhej në Boston të Shteteve të Bashkuara informohej se në skuadër kishte shpërthyer kaosi: Di Francesco, Monchi dhe Totti nuk shihen mirë nga një pjesë e lojtarëve.
Lippie, i cili është larguar vetëm pak kohë më parë nga Roma, i zbulonte numrit 1 të skuadrës romane edhe burimet e këtij kaosi: mjeku i ekipit Riccardo del Vescovo dhe fizioterapisti Damiano Stefanini.
Pallotta, ndërkohë, vendosi të informonte palët e interesit mbi këtë “e-mail”, gjë që “për Tottin rezultoi një tronditje e thellë”. Por presidenti amerikan zgjodhi të mos ndërhynte, në mënyrë që të mos kompromentonte sezonin. Pas eliminimit nga Champions League nga Porto erdhi edhe reagimi: shkarkohet trajneri, drejtori sportiv e më tej edhe mjeku me fizioterapistin, një mik i De Rossit, pa dhënë shumë shpjegime.
Prej atëherë u duk një “ftohje” mes Tottit dhe De Rossit, deri në atë përqafim të së dielës dhe fjalët “Nuk doja”, të cilat sot marrin nënkuptime të ndryshme.
Top Channel