“Milani i së ardhmes do të ketë plot ide, talente dhe baza të qëndrueshme”. Kështu është shprehur administratori i deleguar kuqezi, Ivan Gazidis, në intervistën e parë të dhënë për italianen “Gazzetta dello Sport”, teksa largon frikën e tifozëve kuqezinj se, pas ikjes së Leonardos dhe Gattusos, “valixhet” mund t’i bënte gati edhe legjenda Maldini. “Dua të jetë drejtor teknik i skuadrës”, thotë ai.

Në intervistë, ai bën një analizë të gjerë të situatës aktuale, por shpjegon edhe planet dhe strategjinë e re që do të ndjekë klubi me seli në rrugën “Aldo Rossi”. E nis gjithçka me bilancin “e tmerrshëm” të gjetur përpara se “Elliott” të merrte drejtimin e klubit, me fondin amerikan që ka derdhur plot 220 mln euro në arka, pasi në të kundërt rrezikohej falimenti dhe rrëzimi nga Serie A.

Një bilanc që duhet sistemuar medoemos, sipas Gazidis, por që nuk i vjen për shtat tifozëve të shumtë të “djallit” që duan të rikthehen edhe njëherë në fronin e Europës. Objektivi për sezonin e ardhshëm, siç shprehet Gazidis, është përmirësimi i situatës në lidhje me “Fair Play”-n financiar.

Sa i përket merkatos, ish-drejtuesi i Arsenalit pranon pamundësinë në këto momente për të blerë një “superlojtar”. “Do të synojmë talentet e reja që do të rriten e do të bëhen të mëdhenj bashkë me Milanin”, thotë ai.

Ndërkohë, ekipi ka mbetur pa trajner. “Përzgjedhja e trajnerit do të bëhet me qetësi, por dua të falënderoj Gattuson, një njeri i jashtëzakonshëm, si dhe Leonardon”, thekson Gazidis.

Prioritet i këtyre ditëve për shefin e ri ekzekutiv të kuqezinjve është…Maldini! “Do të doja që Paolo të ishte në krye të aspektit teknik të skuadrës. Pres vendimin e tij dhe më pas do të hidhemi në veprim për trajnerin dhe lojtarët”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA