Mbrëmjen e kësaj të mërkure, në Baku të Azerbajxhanit do të luhet finalja e gjitha angleze e Europa League.
Dy klubet londineze, Arsenal dhe Chelsea do të jenë ato që do të vihen përballë njëra-tjetrës për të diskutuar këtë trofe, fitorja e të cilit garanton për më tepër edhe pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Champions League.
Këtë finale e kanë rrethuar prej ditësh polemikat e shumta dhe pakënaqësitë e tifozëve anglezë, për shkak të numrit të pakët të biletave që kishin në dispozicion, pa përmendur këtu edhe kostot e udhëtimit drejt kryeqytetit azer.
Ndërkohë, skuadrat kanë zhvilluar seancat e fundit stërvitore, me trajnerin e Chelseat, Maurizio Sarri që është shfaqur nervoz, pasi nuk iu lejua praktikimi i goditjeve standarde.
Chelsea do t’ia besojë frerët e lojës Eden Hazardit, që me shumë mundësi luan ndeshjen e fundit me fanellën e “bluve” të Londrës, për të tentuar një tjetër triumf në Europa League pas atij të vitit 2013, me trajnerin Sarri që po ëndërron fitoren e parë në një kompeticion të rëndësishëm.
Në krahun tjetër është Arsenali, që pas largimit të francezit Wenger pati periudhën e ndryshimeve me trajnerin e ri Unai Emery. Spanjolli konsiderohet si një specialist i Europa League, të cilën e ka fituar më parë 3 herë me Sevillan, e tani do të tentojë triumfin e katërt në këtë kompeticion.
“Topçinjtë” do të kenë si armën e tyre më të fortë në këtë finale dyshen Aubameyang-Lacazette, të cilët së bashku kanë shënuar 13 gola e kanë dhënë 5 asiste ngjatë rrugëtimit të Arsenalit në këtë kompeticion.
Finalja e Europa League mes Arsenalit dhe Chelseat do të luhet në orën 21:00 dhe do të transmetohet në paketën “Supersport” të platformës “Digitalb”.
Top Channel