Juventusi ka vendosur të hyjë me forcë në garën për blerjen e kartonit të Paul Pogba. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja britanike “Daily Express”, sipas së cilës “Zonja e vjetër” po mendon që të përfshijë në tratativa, për francezin që kërkohet edhe nga Reali i Madridit, dy futbollistë.

Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, lojtarët që kampionët e Italisë do të përdorin për të bindur drejtuesit e Manchester United të lejojnë kthimin e Pogbasë në Torino, janë Paulo Dybala dhe Alex Sandro. “Daily Express” shkon edhe më tej, kur thekson se Juventusi do të bëjë një ofertë më të lartë sesa ajo e Realit të Madridit, me një shifër që i kalon të 100 milionë eurot.

Ndërkohë, vet Pogba ka flirtuar me të dyja klubet. Vetëm pak kohë më parë, në një deklaratë të tij mesfushori francez vlerësoi në maksimum skuadrën madrilene dhe trajnerin Zidane, ndërkohë që përpara pak ditësh ai u pa në Torino për të përshëndetur Andrea Barzaglin, që i dha lamtumirën futbollit.

Për Juventusin, ardhja e Pogbasë do të jetë një përforcim mjaft i mirë sa i përket mesfushës, ndërkohë që edhe United do të përmirësojë radhët e tij me Dybalanë dhe Sandron, gjithnjë nëse tratativat do të mbyllen me sukses. Për më tepër, Dybala do të zërë me shumë gjasa vendin e Lukakut te “Djajtë e kuq”, me belgun që kërkohet nga Antonio Conte për projektin e ri të Interit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA