Sarah Darwin, stër-stër-stërmbesë e biologut britanik Charles Darwin, nuk mund të flinte në Berlin kur u habit teksa dëgjonte një bilbil të këndonte jashtë dritares së saj.

“Është diçka shumë, shumë e rrallë në Britaninë e Madhe, të jetosh në një kryeqytet dhe të dëgjosh bilbilat të këndojnë në dritaren tënde. Është një eksperiencë e jashtëzakonshme”, tha ajo.

Kjo e bëri Darwin të zhytej në mendime dhe të niste një projekt për të zbuluar përse zogu këngëtar i është sulur kryeqytetit gjerman.

Projekti i Muzeut Historik dhe Natyror të Berlinit, ku Darwin punon, u kërkoi qytetarëve të regjistronin këngën e bilbilave me “smartphone”-t e tyre dhe ta ngarkonin atë në një aplikacion.

Mes klipeve të mbledhura, shkencëtarët po përpiqen të zbulojnë edhe nëse zogjtë kanë dialekte të ndryshme në pjesë të ndryshme të Berlinit. Katalogu ka mbi 2.300 këngë bilbilësh që dallojnë nga njëra-tjetra, e kjo i ka shtyrë kërkuesit të mendojnë se ndoshta zogjtë adoptojnë dialekte rajonale.

Shkencëtarët përllogarisin se popullata e bilbilëve është rritur me 6 për qind çdo vit, në 15 vitet e shkuara në Berlin. Ata besojnë se ka mes 1.200 deri në 1.700 bilbilë në kryeqytet tani. Urbanizimi e ka dëbuar pjesën më të madhe të specieve nga qytetet europiane, por në Berlin ka ende shumë zona të gjelbra. Kjo duket se është ajo që tërheq bilbilët.

Top Channel