Nga Monika Stafa / Ditë më parë të gjithë u njohëm me lajmin që vinte prej shtëpisë së ankandeve “Sotheby’s” në Londër, kur një vepër e piktorit francez Claude Monet është blerë për plot 110.7 milionë dollarë në ankand, duke vendosur kështu një rekord të ri botëror. Po ëfarë përfaqëson ky artist dhe një grup i tërë të rinjsh që po thyenin klishetë empirike të një arti që po perëndonte ngadalë në Francën e fillim shek. të XIX-të?
Grupi i artistëve, i cili u bë i njohur me emrin Impresionistët, do të kujtohet gjithmonë për një nisëm inovative apo revolucionare përveçse të pikturonte tablotë e tyre mbushur me dritë: për herë të parë ata guxuan të hapin ekspozitën e tyre private. Kjo nuk është ndonjë befasi në një epokë si e jona, kur galeritë e artit gjenden kudo në qytetet e mëdha europiane por në Paris, në atë kohë gjendej vetëm një ekspozitë zyrtare e sponsorizuar nga shteti – e quajtur Salon – dhe shumë pak galeri arti i kushtoheshin punës së artistëve. Për pjesën më të madhe të shek. të 19-të, galeria e artit “Salon”, ishte i vetmi vend ku artistët mund të ekspozonin veprat e tyre (dhe që këtej, mënyra e vetme për të krijuar një reputacion të nevojshëm njohjesh dhe për të jetuar një jetë si artist). Punimet e ekspozuara në këtë sallon zgjidheshin më së shumti nga një juri, e cila shpesh mund të ishte arbitrare apo e diktuar. Artistët që ne sot i njohim si Impresionistë, si Claude Monet, August Renoir, Edgar Degas, Berthe Morisot, Alfred Sisley dhe disa të tjerë, nuk mund t’ia lejonin vetes të prisnin që Franca të pranonte punën e tyre. Të gjithë kishin përjetuar refuzimin e saj prej jurisë së “Salonit” gjatë viteve të fundit dhe kishin kuptuar se të prisnin një vit të tërë për një ekspozitë të radhës shkonte shumë gjatë. Ata duhej të tregonin punën e tyre dhe ta shisnin atë.
Artistët grumbulluan paratë e tyre, morën me qira një studio që i përkiste fotografit të njohur francez Nadar dhe caktuan një datë për ekspozitën e tyre të parë kolektive. Ata e quanin veten Shoqëria Anonime e Piktorëve, Skulptorëve dhe Artistëve dhe ekspozita e tyre e parë u hap në të njëjtën kohë që hapej dhe “Salon” për cdo vit në maj, në vitin 1874. Impresionistët mbajtën tetë ekspozita me radhë që nga viti 1874 deri në 1886. Ata e kishin një udhëheqës apo frymëzues në rrugën e revolucionit që nisën. Ishte Édouard Manet, por piktori i famshëm modernist nuk kishte dëshirë të bashkohej me sipërmarrjen e tyre bashkëpunuese në ekspozita të pavarura. Manet kishte ngritur pavionin e tij në Panairin e Botës në 1867, dhe nuk ishte i interesuar të hiqte dorë nga juria e “Salon”. Ai donte që Parisi të vinte tek ai dhe ta pranonte atë, edhe nëse mendjemadhësia e kryeqytetit të ashpër klasor mund ta vinte në lojë lehtësisht.
Monet, Renoir, Degas dhe Sisley ishin piktorë të një brezi. Berthe Morisot, mikeshë e Edgar Degas dhe E. Manet, ishte cilësuar si një prej tre damave më të famshme të Impresionizmit francez. Ajo do të martohej me të vëllanë e E. Manet, Eugène, në fund të 1874. Ajo ishte pranuar në sallon, por puna e saj kish filluar të bëhej empirike. Kjo qe dhe një nga arsyet që E. Degas e ftoi B. Morisot t’i bashkohej përpjekjeve të tyre të rrezikshme. Ekspozita e parë nuk i nxori pagesat që ata kishin bërë, e megjithatë i kish joshur kritikët, disa prej të cilëve thanë se arti i tyre ishte i neveritshëm. Sipas tyre ajo që këta kritikë kishin parë me sytë e tyre nuk dukej e përfunduar; ato ishin thjesht “përshtypje”. Dhe ky nuk ishte një kompliment. Krahasuar me pikturat e artistëve neoklasikë dhe romantikë, të cilat dukeshin që ishin të përfunduara në ide, punimet e impresionistëve, sipas disa kritikëve jodashamirës dukeshin sikur kishin mbetur në skica, në përshtypje të shpejta dhe sikur artistët do të vazhdonin idenë e tyre në një datë të mëvonshme. Normalisht, “impresionet” e një artisti nuk kishin për qëllim të shiteshin, por të ndihmonin kujtesën historike të një vendi duke i kthyer këto ide në një kryevepër në kanavacë. Kritikët mendonin se ishte absurde të shiteshin piktura që dukeshin si impresione të tipit shkel e shko dhe duke i paraqitur ato si vepra të përfunduara.
Courbet, Manet dhe grupi i tyre i quajtur rishtaz ‘Impresionistët’ i sfiduan kodet e kategorive të Akademisë, e cila ishte e mendimit se vetëm “piktura me simbolikë historike” ishte një pikturë e madhe. Këta realistë dhe impresionistë të rinj, e vunë në pikëpyetje establishmentin e kësaj klisheje. Ata besonin se peizazhet dhe skena të jetës bashkëkohore ishin edhe ato të denja e po aq të rëndësishme gjithashtu, për t’u paraqitur.
Në peizazhet dhe tablotë e tyre, Impresionistët u përpoqën të kapnin një moment të veëantë duke vënë në dukje kushte specifike atmosferike, si drita që hidhet mbi ujë, disa re që lëvizin, një vrull shiu, etj. Teknika e tyre ishte të përpiqeshin të kapnin atë që shihnin. Ata pikturonin kometa të vogla me ngjyrë të pastër, njëra pranë tjetrës dhe kur vizitori qëndronte në një distancë të arsyeshme, sytë e tyre ngulats ndeshnin një përzierje të gjurmëve të tyre individuale. Kjo metodë krijonte ndër të tjera ngjyra edhe më të gjalla se ngjyrat e përziera me bojra fizike në një paletë.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i pikturës impresioniste ishte shfaqja e ndryshimit të shpejtë të dritës në varësi edhe të kushteve atmosferike. Impresionistët dëshironin të krijonin një art që ishte modern duke kapur ritmin e shpejtë të jetës bashkëkohore dhe shfaqjet e rrufeshme të dritës. Ata nisën një tjetër mënyrë të pikturuari, zgjodhën të pikturonin jashtë, në ajrin e plotë (en plein air) për të kapur shfaqjen e dritës ndërsa ajo regëtinte flakatare kur ata punonin.
Gjatë viteve 1880, ‘Impresionistët’ e pranuan emrin që i dhanë kritikët edhe pse mirëpritja e tyre në Francë nuk u bë shpejt. Artistë të tjerë, si Mary Cassatt e që ia njihnin vlerën lëvizjes impresioniste që po lindte u ftuan për t’iu bashkuar asaj, ndërsa koleksionistë amerikanë dhe të tjerë jo-francezë blenë vepra të shumta të tyre. Është kjo një prej arsyeve që sot, një pjesë e madhe e pikturave të atij grupi ‘Impresionistësh’, mbetet ende jashtë koleksioneve franceze.
Top Channel