Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku është pyetur në lidhje me atë që quhet “Dosja 339”, me përgjimet për dyshime për shitblerjen e votës në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017.
Por, kur është pyetur Dako nga prokurorët dhe çfarë ka thënë ai? Për këtë, në një lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin qendror informativ në Top Channel, gazetarja Anila Hoxha nga Krimet e Rënda ka dhënë këto detaje.
“Hetimet për dosjen Vol-vo 4, të pagëzuar kështu sipas operacionit policor të zhvilluar gjatë vitit të fundit, në të cilin u arrestuan 74 persona, kanë marrë një kthesë dinamike. Gjatë ditës së sotme është refuzuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda kërkesa e një prej të arrestuarve, të njohur si Niçja apo Altin Avdyli, i cili është lënë sërish me masën arrest me burg. Burime të Top Channel kanë bërë të ditur se zoti Dako është pyetur pikërisht për llogari të hetimeve të hapura për këtë çështje mjaft të bujshme. Dako është pyetur sipas burimeve jozyrtare gjatë së enjtes, nga ora 15 deri në orën 20. Burimet janë mjaft diskrete dhe nuk japin asnjë detaj se çfarë ka thënë zoti Dako gjatë kësaj seance, për të cilën atij i ishte dërguar ftesë nga prokurorët e çështjes, Vladimir Mara dhe Dritan Premçi, të cilët edhe në këto momente vazhdojnë të jenë në detyrë, pasi gjatë orëve të fundit janë pyetur edhe zyrtarë të tjerë të pushtetit lokal, veçanërisht në qytetin e Durrësit dhe të Lezhës. Të dy prokurorët vazhdojnë gjatë orëve të fundit të pyesin persona, për të cilët sikurse thuhet në rrugë jozyrtare janë zbardhur mjaft përgjime, nga totali prej 700 CD siç e njoftoi edhe Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku. Nga ana tjetër, Prokuroria sipas burimeve jozyrtare ka kërkuar gjithashtu edhe sekuestrimin e 300 mijë metrave katrorë truall, të cilat konsiderohen se janë tjetërsuar nga anëtarë të grupit. Në total janë 74 persona të arrestuar për këtë çështje, ndërsa hetimet janë regjistruar për një sërë veprash penale, nga trafiku i drogës, falsifikimi i dokumenteve, por edhe vepra të lidhura me çështjen e zgjedhjeve. Sikurse më është thënë në rrugë jozyrtare, në përgjime kanë dalë edhe zyrtarë të tjerë të pushtetit lokal, e gjithashtu ka dyshime se në këto përgjime kanë dalë edhe gjyqtarë e prokurorë, të cilët pritet të thirren në orët në vazhdim për t’u pyetur nga dy prokurorët Mara dhe Premçi”, tha Anila Hoxha.
Top Channel kontaktoi edhe me zyrtarë të lartë të Prokurorisë, por nuk u dha asnjë deklaratë për shkak të sekretit hetimor, sikurse kontaktoi edhe me Vangjush Dakon, por nuk mori prej tij asnjë përgjigje.
Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda shihen lëvizje edhe në këto orë të vona, me dy prokurorët në fjalë që janë ende duke vazhduar punën duke pyetur persona që kanë dijeni. Emra nuk bëhen të ditur, por marrja në pyetje vijon që nga e enjtja.
Top Channel