Muzeu gjerman kthen kryqin e gurtë në Namibi

18/05/2019 18:56

Muzeu Historik gjerman ka njoftuar se do të kthejë një monument të shekullit të XV në Namibi, pasi ai u mor gjatë epokës koloniale. Kryqi i gurit është një monument portugez lundrimi, që ishte vendosur në bregun jugperëndimor të Afrikës në vitin 1486.

Por, kur zona ishte nën kontrollin kolonial gjerman në vitet 1890, kryqi u mor dhe u dërgua në Europë. Namibia kërkoi rikthimin e tij në vitin 2017, e të premten Muzeu i Berlinit pranoi kërkesën.

Gjermania ka premtuar se do t’i rikthejë artefaktet dhe sendet e tjera që i përkasin ish-kolonive të saj. Në një ceremoni, ministrja gjermane e Kulturës, Monika Grutters tha se ky ishte një sinjal i qartë që “ne jemi të angazhuar të bëjmë llogaritë me të kaluarën koloniale të vendit”.

Edhe ambasadori namibian në Gjermani e quajti këtë një hap të rëndësishëm për pajtim me të shkuarën koloniale dhe padrejtësitë e saj.

Sipas muzeut, kryqi do të kthehet në Namibi në gusht. Kryqi 3.5 metra i lartë prej guri u vendos nga ekploruesi portugez Diogo Cao në bregun jugperëndimor të Afrikës, gjatë një prej ekspeditave të tij. Ai u bë aq i njohur, sa që u shfaq edhe në hartat e vjetra të zonës.

Por, një komandant anijeje gjermane e mori kryqin në vitin 1893, gjatë kontrollit të vendit nga ana e Gjermanisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA