Julian Çela, i zhdukur që prej 30 nëntorit të vitit 2012, është parë për herë të fundit në një qendër interneti, e cila pas ngjarjes është mbyllur. Sipas dëshmive të banorëve, 11-vjeçari ka dalë jashtë qendrës së internetit, pasi e ka kërkuar dikush dhe që atëherë nuk është kthyer më kurrë.
Shtatë vite kanë kaluar dhe fati i Julianit ende nuk dihet. Më 16 korrik numërohen 8 vite për humbjen e një tjetër 14-vjeçari, Marteo Bejajt. Marteo humbi kontaktet me familjarët në një ditë të zakonshme, teksa kishte dalë të luante me shokët. I fundit që e ka parë duke shkuar në drejtim të shtëpisë ka qenë një 25-vjeçar, por që nga ajo ditë, asnjë pistë e re nuk është gjetur.
“Asnjëherë nuk e mendoja që kjo dhimbje do të zgjaste 8 vite. Çështja ka qenë në Policinë e Vlorës dhe u transferua më pas në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. E kemi kërkuar pa reshtur, pa pushim, por fatkeqësisht përballemi me indiferencën e strukturave të shtetit tonë”, thotë Fabiola Bejaj, motra e Marteos.
Çdo tre ditë një fëmijë raportohet i humbur në Shqipëri. Formimi i një zinxhiri njerëzor nga Qendra Kombëtare e Fëmijëve të Humbur, përballë Kryeministrisë, i kujtoi qeverisë përgjegjësinë për të kthyer pranë familjeve të tyre fëmijët e humbur.
“Në tre vitet e fundit, sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit janë 365 fëmijë të humbur, prej të cilëve 258 vajza dhe 107 djem. Ndërkohë që 353 prej tyre janë rikthyer pranë familjeve, 12 janë ende të humbur. Fëmijët në Shqipëri vazhdojnë të jenë prè e pasigurisë, trafikimit, abuzimeve dhe rrëmbimeve nga grabitqarët seksualë”, tha Altin Hazizaj.
Ndërsa Fabiola kërkon me dhimbje që vëmendja te Marteo të mos kthehet vetëm në Ditën ndërkombëtare të Fëmijëve të humbur.
“U bëj thirrje institucioneve shtetërore që të kërkojnë më shumë dhe t’u kthejnë një përgjigje familjarëve të të gjithë këtyre fëmijëve. Pyetjes që atyre u lëndon më shumë për gjithë këto vite se, ku gjendet fëmija i tyre. Ne kemi kaq shumë nevojë që të kemi një përgjigje se ku është, por mbi të gjitha sesi është Marteoja”, tha më tej Fabiola Bejaj.
Top Channel