PAOK-u “sundon” Greqinë. Pas kampionatit, fiton edhe Kupën ndaj AEK-ut

12/05/2019 22:18

Sezoni futbollistik në Greqi ishte i gjithi për PAOK-un e Selanikut, që pas kampionatit fitoi edhe Kupën për të tretin vit radhazi, teksa mundi në finale sërish AEK-un e Athinës.

Në ndeshjen që u gjykua nga arbitri gjerman, Felix Zwayer, heroi për PAOK-un u bë Chuba Akbom, që shënoi me roveshatë në minutën e fundit të pjesës së parë. Ky gol i mjaftoi ekipit nga Selaniku për pjesën e mbetur të ndeshjes, duke ngritur edhe trofeun e kompeticionit.

Ajo që ra në sy ishte fakti se për sigurinë e takimit ishin angazhuar 3.000 forca policie në stadium, që ishte praktikisht bosh, pasi të pranishëm në të ishin vetëm 900 tifozë.

  Greqi, PAOK-u i Selanikut shpallet kampion pas 34 vitesh (Foto)

Dy skuadrat finaliste kishin në dispozicion nga 120 bileta secila për këtë ndeshje, ndërkohë që 660 të tjerat ishin për Federatën greke të Futbollit. Megjithatë, pavarësisht masave të marra, përsëri pati incidente në stadium, kur tifozeritë e të dyja skuadrave u përplasën me njëra-tjetën, situatë që kërkoi ndërhyrjen e policisë.

Ndërkohë, pas përfundimit të ndeshjes, tifozët e PAOK-ut shpërthyen në festë për këtë sukses të skuadrës së tyre, në një sezon të cilin vështirë se do ta harrojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA