Përgjatë 4 ditëve, festivali i gastronomisë “Taste of Paris” mbledh së bashku nën kubenë e qelqtë të “Grand Palais” shefat më të mirë të kuzhinës botërore, prodhues e furnizues.

Ngjarja, që për herë të parë u lançua para 14 vitesh në “Somerset House” të Londrës, është kthyer sot në njërin prej festivaleve më të famshme të këtij lloji në botë, duke mbuluar mbi 20 qytete që përfshijnë Milanon, Chicagon apo Cape Town.

Versioni parizien i tij solli për vizitorët miniporcione pjatash, të realizuara nga shefa që kanë fituar çmime në këtë fushë. Ato vijnë me një kosto të arsyeshme nga 4 deri në 12 euro, në një kohë kur ajo reale është 100 euro.

Festivali ofron përpos të tjerash edhe mundësinë që këta mjeshtra të gatimit, kureshtarët t’i takojnë personalisht.

“Unë mendoj se kjo është një nismë mjaft moderne, një kuzhinë e hapur e cila të afrohet më shumë me klientin. Në të kalurën, shefat ishin të mbuluar nga yndyra dhe fshiheshin pas një muri. Sot, ata po spostohen gjithmonë e më shumë drejt qendrës së vëmendjes, e ku ka më bukur sesa ta marrësh drejtpërdrejt mendimin e klientit, është ai që e provon ushqimin, ai që e vlerëson. Në njëfarë mënyre, është një lloj shkëmbimi që bëhet mes nesh dhe dëshira për ta afruar klientin sa më shumë”, tha Juan Arbelaez.

Shefat e kuzhinës nuk ishin yjet e vetëm të shfaqjes, ku janë prezantuar gjithashtu edhe 15 prodhuesit e furnizuesit më të mirë të restoranteve franceze më në zë.

Top Channel