41 persona vdiqën nga incidenti i avionit të linjës ajrore ruse Aeroflot pas uljes së emergjencës në aeroportin Sheremetevo të Moskës.
Ndoshta ishte një rrufe, ndoshta një gabim i pilotëve që nuk duhet të ulnin në pistë dhunshëm e me shpejtësi një avion të mbushur me karburant; të gjitha këto do t’i sqarojë hetimi i nisur menjëherë mbi rastin.
Por, ndërkohë mësohet se numri i të mbijetuarve mund të kishte qenë më i madh nëse disa prej pasagjerëve nuk do të këmbëngulnin të merrnin çantat dhe sendet e tjera personale nga avioni që digjej. Bllokimi që ata shkaktuan ngadalësoi evakuimin e të tjerëve.
Kjo lloj sjelljeje praktikisht i zuri daljen personave që kishin mbetur në pjesën e pasme të avionit. Një prej këtyre pasagjerëve ishte, sipas mediave të huaja, Dmitry Khlebushkin, i cili kishte dalë me çantën e dorës nga avioni dhe nuk pati asnjë koment të dhembshur për ata që humbën jetën, vetëm u ankua se “ata të aeroflotit ishin të pashpirt dhe jo profesionalë, pasi kishte tentuar për plot 40 minuta dhe nuk kishte marrë dot rimbursimin e biletës”.
Përpos incidentit të pasagjerëve që vështirësuan largimin e të tjerëve, pati dhe episode heroizmi: piloti i dytë, Maxim Kuznetsov, 36 vjeç, arriti të shpëtonte e të dilte nga avioni që digjej, por kur doli jashtë pa se kapiteni i tij, Dnis Evdokimov, 42 vjeç, nuk kishte arritur të largohej. Atëherë, piloti u kthye mbrapsht në mjetin e pushtuar nga flakët për ta ndihmuar të largohej dhe duke i shpëtuar jetën.
Top Channel