70 vjetori i Këshillit të Europës/ Institucioni që mbron të drejtat e njeriut

05/05/2019 12:23

Këshilli i Europës feston sot 70-vjetorin e tij. KE shihet si më e fuqishmi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontinent e jashtë tij.

Ishin 10 shtete europiane ato që më 5 Maj 1949 në Strasburg vendosën të bashkoheshin me qëllimin e ruajtjes së trashëgimisë së përbashkët europiane.

“Rivendosja e paqes, demokracisë, stabilitetit në Europë” pas tmerrit të Luftës së Dytë Botërore ishte prioriteti kryesor europian – në të njëjtën kohë planifikohej thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe ndihma për çështjet sociale.

Këshilli i Europës ka për detyrë të zhvillojë afrimin mes vendeve anëtare, thuhet në statutin e organizatës. Sot ai ka 47 anëtarë. Vetëm tre shtete në hapësirën gjeografike të Europës nuk janë anëtarë të tij.

Kosova, Vatikani dhe Bjellorusia. Ky institucion u shërben shkëmbimeve diplomatike dhe vendos për pranimin e anëtarëve të rinj, pezullimin e përkohshëm të anëtarësisë si edhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut u krijua si institucion i pavarur nga Këshilli i Europës në vitin 1959 dhe financohet prej tij.

Por Këshilli i Europës nuk është i lidhur institucionalisht me BE. Shpesh ndodh që ai të ngatërrohet me Këshilli i BE-së, që është nga ana e tij instancë e bllokut dhe bashkon krerët e shteteve e qeverive të BE.

Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës dallojnë mes tyre jo vetëm në numrin e anëtarëve – BE ka 28 anëtarë, kurse KE 47, – por edhe në ndikimin politik. BE ka kompetencë ligjore në tregun e brendshëm dhe mjedisit, ndërsa Këshilli i Europës përgatit marrëveshje apo konventa ndërkombëtare si Konventa e Stambollit për luftën kundër dhunës ndaj gruas.

Top Channel