Manuali i parë i zbritjes në Hënë mund të kapë në ankand shumën e 9 milionë dollarëve. Bëhet fjalë për manualin e detajuar të përdorur nga astronautët amerikanë Neil Armstrong dhe Edwin E. ‘Buzz’ Aldrin.

Dokumenti 44-faqesh me kapse rrethore metalike shpjegon me hollësi çdo procedurë të shkëputjes dhe zbritjen në sipërfaqen e satelitit të vetëm natyror të Tokës, gjatë misionit “Apollo 11”.

Aty janë të gjitha udhëzimet, hap pas hapi, që mbulojnë pjesën e fluturimit të “Eagle”.

“Kjo është një seri instruksionesh për çdo gjë, nga “vendosni helmetat tuaja” te “kontrolli i sistemit tuaj të energjisë”, tha shefja e sektorit të librave dhe dorëshkrimeve në shtëpinë e ankandeve “Christie’s”.

Së bashku me të dhënat teknike, libri i cili u mbajt në bordin e “Eagle”, përmban vizatime dhe pothuajse 150 shenja dhe shënime të shkruara në kohë reale nga Armstrong dhe Aldrin. Me që nuk kishte regjistrim audio ose video të asaj që ndodhi në kabinën e “Eagle”, manuali konsiderohet si një dëshmi unike për historinë e hapësirës.

Ai përmban gjithashtu shënimet e para nga një qenie njerëzore ndërsa ndodhej në një trup tjetër qiellor.

Top Channel