Gani Jashari ndër të pakët qytetar, i është bashkuar protestës së organizuar për të drejtat e punëtorëve. prej dhjetë vjetësh ai punon në një fabrikë për përpunimin e drurit. Por edhe pse i ka mbushur të 60-at, Jasharit ende i duhet të punojë nëntë orë në ditë.
“Do punoj për familjen”, tha Gani Jashari. Një tjetër protestues tregon se përkundër përvojës së punës prej 13 vjet, vazhdon të ketë kontrata një vjeçare. Përveç respektimit të ligjeve, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kanë kërkuar përmirësimin e kushteve të punës.
Vetëm në 4 muajt e parë të këtij viti, 4 qytetar kanë ndërruar jetë në vende e punës si pasojë e kushteve, ndërsa rreth 20 raste janë lajmëruar në institucione për lëndime trupore.
“Çdo ditë punëtorët e Kosovës lëndohen ose vdesin në vendin e punës. Nuk po flasim për kontratat e punë, sepse ato nuk ekzistojnë fare, sidomos në sektorin privat”, tha Nexhat Llumnica, nënkryetar sindikate.
Përveç protestës së BSPK-së, një tjetër u thirr në emër të grave. Megjithëkëtë, pak prej tyre u panë në protestë.
Një pjesë e vogël e qytetarëve kanë zgjedhur t’i bashkohen protestave, derisa pjesa tjetër e tyre në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve kanë zgjedhur t’i shijojnë rrezet e diellit në sheshet dhe kafenetë e kryeqytetit. Ata arsyetohen se protestat nuk ofrojnë zgjidhje në Kosovë. Të dy protestat kanë përfunduar pa ndonjë incident.
Top Channel