Policia e Shtetit në bashkëpunim me banorët e zonës, u ka ardhur në ndihmë dy turistëve të huaj të cilët kishin mbetur të bllokuar në zonën e Thethit.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është njoftuar se dy turistë gjermanë kanë humbur rrugën dhe kanë mbetur të bllokuar në zonën e Thethit.
Një ekip i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është nisur në drejtim të zonës, për të cilën ishte marrë njoftimi, si dhe është njoftuar Komisariati i Policisë Tropojë dhe Shkodër.
Në bashkëpunim me banorët e zonës, shërbimet e Policisë në orët e mbrëmjes kanë bërë të mundur lokalizimin dhe gjetjen dy turistëve E. S., dhe A. B., me shtetësi gjermane, të cilët kishin mbetur të bllokuar në zonën mes qafës së Valbonës dhe Ragamit, pasi kishin humbur rrugën.
Policia dhe banorët e zonës kanë transportuar turistët, në gjendje të mirë shëndetësore, dhe i kanë strehuar ata në një banesë në fshatin Theth.
Policia e Shtetit ka falënderuar banorët e zonës për ndihmën e dhënë për gjetjen e dy turistëve.
Top Channel