Vitrina e Librit / Perfectum Trinum: Montale, Quasimodo Dhe Ungaretti

22/04/2019 13:25

Shqipëruar nga Zef Zorba

Rreth njëqind poezi të tre poetëve të mëdhenj italianë të shekullit XX, Eugenio Montale, Salvatore Quasimodo dhe Giuseppe Ungaretti vijnë në shqip të përzgjedhura dhe shqipëruara nga poeti i njohur shkodran Zef Zorba, njohës e admirues i të treve.

Ato mbetën dorëshkrim për disa dekada rresht dhe po shohin dritën e botimit, më në fund, në një libër dygjuhësh, me tekstin shqip e italisht përbri – mënyra ideale për të shijuar poezinë e përkthyer.

Perfectum Trinum është antologjia e tre poetëve të mëdhenj të letërsisë italiane në shekullin e XX-të. Sintetizimi i kësaj antologjie vetëm në këta tre poetë, as i errëson dhe as i mënjanon poetë të tjerë si Saba, Pasolini, Luzi e dhjetra të tjerë që jehojnë fort me individualitetet e veta të shkëlqyeshme artistike. Të tre këta poetë kanë një aktivitet të ngjashëm në kohë e vlera.

Dallohet përpjekja e tyre e përbashkët për ripërtëritjen e poezisë italiane në këndvështrimin modern. Shqipëruesi i këtyre vargjeve, Zef Zorba ka pasur rastin të njihej me to, që në krijimet e tyre të para, kur kritika konservatore i denigronte fort, më shumë se t’i përkrahte. Sulmet e para konservatore u drejtuan kundër Ungarettit. Jo shumë i ndryshëm ka qenë qëndrimi i kritikës ndaj Montales dhe Quasimodos. Krijimet e tyre u quajtën hermetike dhe esencialiste dhe dukshëm ishin hapur kundër traditës.

Duke qenë pasionant ndaj këtij stili dhe frymës moderne që ato sollën në letërsinë italiane, Zef Zorba, poeti shkodran vendos t’i shqipërojë në një fletore- dorëshkrim që u ruajt me shumë kujdes nga të bijat. Përkthimi ka meritën e komunikimit midis kombeve, kulturave të ndryshme dhe pa të, ky komunikim do të ishte i pamundur. Në përkthimin e poezisë së hermetikëve italianë prej Zorbës, shkruajnë studiuesit, vërehet një balancë mes tipareve stilistikore dhe atyre kuptimore, apo edhe emocionale.

Zef Zorba e zhvillon thellësisht gjuhën e shqipërimit, sipas cilësive të tij individuale, duke realizuar evokime të trishta melodike. Ai ka arritur në përkthimin e tij të Montales, Kuazimodos dhe Ungaretit, të favorizojë shumëkuptimshmërinë e vargut, lartësimin e fjalës përmes forcës shprehëse të saj; duke mbërrirë kështu, në shndërrimin e poezisë në një përvojë njohëse, shpirtërore e shpëtuese. Megjithësë të tre cilësohen me titullin përmbledhës “poetë lirikë”, librat e tyre s’janë një përmbledhje e thjeshtë poezish por një vepër e plotë në vështrimin e mirëfilltë aristotelian.

Top Channel