“Pikturimi me trup bën që unë dhe vepra të jemi një, dhe piktura të jetë më e prekshme”, thotë piktorja Stela Rustemaj.
Ngjyrat, Stela Rustemajn, e shoqërojnë gjatë gjithë ditës. Ndërsa ligjet dhe shifrat, çfarë ka studiuar në Universitet dhe profesionin që ushtron sot si juriste, nuk i diktojnë mënyrën e të pikturuarit.
“Kur kam qenë fëmijë nuk mendoja të pikturoja, thjesht mjaftohesha me ato vizatimet në letër apo mur. E shikoja veten të kisha një Fakultet të cilin ta ushtroja për biznesin e babit tim, por që mund ta mendoj veten dhe pa ekonomik apo juridikun, por pa pikturën jo. Le të themi që do të isha pa një identitet”, thotë ajo.
Para 9 viteve, në moshën 24 vjeçare, Stelës iu zgjua interesi për të mësuar më shumë për pikturën. Momentet që e ngacmonin gjatë ditës, i shënjonte në telajon e përmasave gjigandte. Mund të qëndrojë edhe më shumë se 48 orë e përkushtuar me trup në pikturë. Penelat i përdor vetëm për të trazuar shpirtin e ngjyrave.
“Nuk kisha asnjë informacion për mënyrën se si përdoreshin bojrat apo cilat ishin bojrat që përdoreshin për pikturë, që aty kam filluar të studioja në mënyrë autodidakte. Një piktor që kontaktoi babi për kurs I tha se në mënyrën që pikturon Stela dhe teknikat që ka nuk dua të definoj shijen e saj në pikturë dhe ta orientoj. Në qoftëse unë do kisha bërë një shkollë për artin do isha shumë e zakonshme”, shprehet Stela
Top Channel