Arta Marku u rikthye sërish te Krimet e Rënda, aty ku gjatë vjeshtës së kaluar hapi “luftë” me 10 prokurorë, duke i ndëshkuar.
E përfolur si një nga kandidatet që do të garojë për postin e Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku e krahasoi Prokurorinë me një supermarket ku çdo gjë ka çmim, e ndaj – sipas saj, – prokurorët duhet ta bindin publikun se Prokuroria është një organ kushtetues, për t’i rikthyer dinjitetin e cunguar.
“Secili prej jush, të nderuar kolegë, e dinë mirë se çfarë duhej bërë dhe nuk është bërë, sesi janë mbajtur çështjet nëpër sirtarë për t’u përdorur sipas interesave të caktuara, që ju i dini dhe i njihni mirë”, tha Arta Marku.
Por, një nga dhuratat e Reformës në Drejtësi ishte premtimi për të pasur një Prokurori të decentralizuar. Diçka e tillë duket se nuk është respektuar nga Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku.
“Të trajtohen sa më shpejt çështjet që kanë tronditur opinionin publik dhe kanë trazuar jetën politike në vend”, kërkoi Arta Marku.
Zonja Arta Marku, e cila është përkohësisht në krye të organit qëndror të akuzës prej më se një viti, ka vlerësuar edhe etikën e prokurorëve në raport me sekretin hetimor, por diçka të tillë duhet ta bëjë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që është edhe “Zoti” i prokurorëve.
“Gjatë këtij viti, disa prokurorë të tjerë nga radhët tuaja na kanë bërë që të na vijë turp që jemi prokurorë. E kanë keqpërdorur funksionin e tyre të ndjekjes penale, duke nxjerrë informacion, dokumentacion”, tha Marku.
“Kemi në një listë rezultatet e analizave tuaja, ndaj të cilave ne jemi shumë të vëvendshëm. Për ne, këto janë lëndë e parë për politikat tona të kuadrit, sepse në llogari të fundit kjo është detyra jonë”, deklaroi Gent Ibrahimi, kreu i KLP-së.
Por, përpara shqetësimeve, sikurse është lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, për zonjën Arta Marku shqetësimi kryesor ishte media dhe raporti që ajo ka me dosjet hetimore. Për këtë arsye, sipas Prokurores së Përgjithshme të përkohshme, mediet duhen mbajtur larg.
“Mbani larg mediet nga hetimi. Gazetarët nuk janë dhe nuk duhet të jenë pjesë e grupit hetimor”, deklaroi Marku.
Top Channel