Investimet e huaja në Shqipëri shënuan një rekord historik vitin e kaluar duke kapërcyer për herë të parë shifrën 1 miliardë euro. Të dhënat e fundit nga banka e Shqipërisë tregojnë se për gjithë vitin 2018, kompanitë e huaja investuan në saktësisht 1 miliardë e 21 milionë euro në ekonominë shqiptare, me një rritje prej 13.5 për qind krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë shifra totale e investimeve të huaja, maskon një dobësi strukturore. Vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre, kanë shkuar në sektorin e manifakturës, i cili zgjeron bazën prodhuese të ekonomisë.

Të dhënat e detajuara tregojnë se pjesa dërrmuese e investimeve nga jashtë kanë qenë vetëm në katër sektorë, që janë; energjia, industria nxjerrëse, pasuritë e patundshme dhe sektori financiar.

Për vitin 2018 kompanitë e huaja investuan 467 milionë euro në prodhimin e energjisë dhe sektorin e gazit, pjesa dërrmuese e të cilave vjen nga gazsjellësi TAP dhe Kaskada e Devollit. Në industrinë nxjerrëse, veçanërisht naftë dhe miniera u investuan 171.1 milionë euro, ndërsa në aktivitetin e pasurive të paluajtshme 115 milionë euro.

Të huajt duket se po blejnë gjithmonë e më shumë prona të patundshme në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë dhe zonat bregdetare. Banka e Shqipërisë nuk e detajon se sa prej këtyre investimeve vijnë nga individë të huaj që blejnë prona në Shqipëri dhe sa vijnë nga bizneset, por në total vitin e kaluar të huajt investuan 115 milionë euro në aktivitetin e pasurive të paluajtshme, edhe ky një rekord historik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA