Qeveria britanike nuk mund ta prezantojë marrëveshjen e saj të Brexitit për një tjetër votim në parlament, nëse ajo është e njëjta, ose në thelb e njëjta me atë që është refuzuar nga deputetët.
“Nëse qeveria do të vijë me një propozim të ri, që nuk është i ngjashëm me atë që u rrëzua nga dhoma e Komunëve më 12 mars, kjo do të ishte në rregull. Ajo që qeveria nuk mund të bëjë, është të rikthejë në dhomë të njëjtin propozim me atë të javës së shkuar”, tha John Bercow.
Kryetari i dhomës së Komunëve tha se konventa parlamentare që datojnë që nga 1604 tregojnë se deputetëve nuk mund t’u kërkohet të votojnë të njëjtin subjekt, dy herë.
Deputetët e refuzuan planin e Brexitit të Theresa May me 149 vota, javën e shkuar. Ndërkohë, vendimi i kryetarit të parlamentit vjen ndërsa qeveria po merr në konsideratë një përpjekje të tretë për ta kaluar marrëveshjen në parlament.
May kishte deklaruar më herët se do të kërkonte një votim të ri në ditët në vijim, por ministra të kabinetit thanë se kjo nuk do të ndodhte nëse nuk do të ishin të bindur për fitore.
Top Channel