Studentët po zhvillojnë pothuajse në të gjitha universitetet procesin mësimor këtë të hënë, përveç Fakultetit të Shkencave Sociale.
Pedagogët e këtij fakulteti po bëjnë grevë, ndërsa dekani Edmond Rapti kërkon nisjen e menjëhershme të mësimit.
Në këtë fakultet, me pedagogët grevistë është bashkuar edhe kryetari i opozitës së Kosovës, Albin Kurti, i cili u ka bërë thirrje për vazhdimin e protestës. Kundër kësaj fryme janë një grup prej rreth 300 studentësh, që kanë kërkuar nga dekani rifillimin e procesit mësimor.
“Ne duhet të komunikojmë me studentët. Ka nga ata që duan mësim dhe ne jemi në grevë”, tha Majlinda Keta, pedagoge e Shkencave Sociale.
Trupa akademike, në takimin e dytë ka rënë dakord në ngritjen e grupit të punës për hartimin e një dokumenti mbi problematikat e ligjit të arsimit të lartë, si dhe fatin e grevës së përgjithshme të pedagogëve ua lanë në dorë asambleve të çdo fakulteti të Universitetit të Tiranës.
Nga ana tjetër, ata kërkojnë nga autoritetet e Universitetit të Tiranës të mbajnë qëndrim për ligjin e arsimit të lartë.
“Senati akademik votoi mbledhjen e së premtes unanimisht për lirimin e godinës së Fakultetit të Drejtësisë, por rektori Mynyr Koni nuk po ushtron kompetencat që i jep ligji i arsimit të lartë, ndryshe nga çfarë tha më 25 janar, kur takoi studentët”.
Top Channel