Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku është nisur drejt Hagës nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari”, e pak pas tij, të njëjtën rrugë mori edhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Rustem Mustafa.
Lushtaku i tha gazetarëve se do të intervistohet nga Prokuroria Speciale në 16 janar, por përse-në e kësaj lëvizjeje nuk e di. Do ta kuptoj ne ate date se perse jam thirrur është shprehur ai. Avokati Arianit Koci, tha se si Lushtaku, ashtu edhe Mustafa i janë përgjigjur ftesës së Prokurorisë Speciale, por as ai nuk sqaroi se në çfarë cilësie janë thirrur të paraqiten pranë saj.
“Zoti Lushtaku do të intervistohet me 16 janar, e këtë kohe e ka shfrytëzuar për të vizituar disa familjarë, ndërsa zoti Mustafa do të intervistohet nesër më 14 janar. Data për zotin Lushtaku është shtyrë sepse të dy e kanë pasur të njëjtin avokat dhe është dashur të koordinohet koha”, u shpreh Arianit Koçi, avokat.
Përmes një postimi në Facebook, kryeministri kosovar Ramush Haradinaj sqaroi se i ka vizituar të dy ish pjesëtarët e UÇK-së duke theksuar se beson me forcë në pastërtinë e luftës së saj, e duke shprehur bindjen se do të kapërcehet me sukses edhe kjo sfidë.
Një sërë ish-pjesëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë ftuar të dëshmojnë para Prokurorisë Speciale për Krime Lufte në Kosovë.
Hetimet do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Ligji për Gjykatën Speciale u miratua në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.
Top Channel