Vajza e një bosi të famshëm të mafies siçiliane ka hapur një restorant afër “Harkut të Triumfit” në Paris, e nuk ka hezituar aspak ta quajë atë “Corleone”.

Lucia Riina, një piktore dhe vajza më e vogël e bosit të bosëve, Salvatore “Toto” Riina, i vendosi restorantit të saj emrin e qytetit të lindjes së të atit dhe të familjes mafioze të drejtuar prej tij, të bërë të njohur edhe nga trilogjia “Kumbari” e Francis Ford Coppolas.

“Zbuloni kuzhinën e vërtetë italo-siçiliane, në një vend elegant dhe të qetë”, shkruhet në një reklamë në një faqe Facebooku.

I njohur edhe si “bisha”, për shkak të mizorisë së tij, Salvatore Riina ishte një mafioz që nuk u pendua kurrë se, jo vetëm urdhëroi vrasjen e rivalëve të tij në një shkallë të paprecedentë në vitet ’80-’90, por vuri në shënjestër edhe prokurorë, gazetarë dhe gjykatës që tentuan t’i zinin rrugën atij.

Ai besohet se është përgjegjës për vdekjen e qindra personave, përfshirë edhe një 13-vjeçari që u rrëmbye, u mbyt dhe u dogj me acid. Riina ishte duke vuajtur 26 dënime të përjetshme me burg, kur vdiq nga kanceri në nëntor të vitit 2017.

Lajmi për hapjen e restorantit në Paris është pritur me kritika në Itali. Familja e Riinës besohej se ishte në vështirësi financiare, pasi pjesa më e madhe e pronave të saj janë konfiskuar. Një ditë më parë, madje, Agjencia siçiliane e Taksave i kërkoi familjes së Riinas të paguajë 2 milionë euro, shumë kjo që ka kushtuar për mbajtjen e tij në burg për 24 vite, deri kur ai vdiq.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA