Trazirat me një të vdekur, Inter dënohet me dy ndeshje pa tifozë

27/12/2018 17:31

Përballja mes Interit dhe Napolit në futbollin italian regjistroi trazira, të arrestuar dhe vdekjen e një tifozi, në fundin e një ndeshjeje ku autoritetet nuk prisnin kaos, por u surprizuan në mënyrën më të keqe.

Ajo që nisi me përleshje, para se skuadrat të zbrisnin në fushën e lojës në “San Siro”, e rëndoi bilancin.

Një tifoz i Interit u përplas nga një makinë dhe humbi jetën në spital, ndërsa 4 mbështetës të Napolit u plagosën me thikë. Mësohet se policia ka arrestuar 3 tifozë ultras, ndërkohë që Kuestura e Milanos kërkoi marrjen e masave drastike.

Këtë të enjte pasoi edhe vendimi i gjykatësit sportiv, për të dënuar Interin me dy ndeshje pa tifozë, si dhe një dënim me një ndeshje të tretë të ndaluar për ultrasit.

Kështu, zikaltrit do të zhvillojnë në një impiant të boshatisur sfidën e Kupës së Italisë, me Beneventon më 13 janar, si dhe atë në Serie A ndaj Sassuolos, më 19 janar.

U penalizuan gjithashtu me dy ndeshje Insigne dhe Koulibaly, ndërsa sanksioneve të Disiplinës nuk i shpëtoi as trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, me një gjobë të majme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA