Erl Murati, kryeredaktor i “Gazetës Shqiptare”, zbuloi në emisionin “Top Talk” se çfarë do të ndodhë nesër në Asamblenë e Partisë Socialiste.
“Nga informacionet paraprake, nesër do të nisë procesi i ndryshimit. Nuk do t’i shkarkojë që tani ministrat, pasi nuk i zëvendëson dot tani. Ata duhet të marrin dekretin e Presidentit dhe duhet të miratohen në Parlament. Parlamenti rinis punën në fund të janarit, pra ndryshime nuk mund të ketë që tani, por nesër mund të kuptojmë se cilat dikastere do të kenë lëvizje”, u shpreh Murati.
Kur u pyet në lidhje me ministritë më me probleme, Murati tha: “Mendoj se Ministria e Arsimit do të ketë drejtues tjetër. Ministria e Infrastrukturës është përfshirë gjithashtu nga skandalet. Por, ka edhe një ministri për Sipërmarrjen, ku sipërmarrja ka shumë vështirësi”.
Sa i përket ligjit antishpifje, Erl Murati tha shkurt: “Është draft antikushtetues sepse shpifja në vendin tonë dënohet. Pra, nuk mungon ligji për dënimin e shpifjes. Amendamentet e qeverisë bëjnë që AMA të marrë kontrollin mbi portalet. Një institucion politik mund të mbyllë media, por arbitër nuk janë institucionet që dalin nga Parlamenti, por gjykatat”.
Top Channel