Nata e Krishtlindjes në NBA rezervoi sfidën më të shumëpritur nga admiruesit e basketbollit amerikan, derbin kalifornian mes Los Angeles Lakers dhe Golden State, në “Oracle Arena”.
Kjo ishte sfida që vuri përballë dy emra, që në vitet e fundit kanë qenë në qendër të vëmendjes për rivalitetin e fortë mes tyre, si LeBron James dhe Stephen Curry.
Dueli i rëndësishëm i Konferencës së Perëndimit u fitua në fund nga Lakers, me rezultatin 127-101. Në fakt, Lakers e dominuan këtë përballje ndaj Warriors, ku Curry shënoi vetëm 15 pikë, ndërsa Durant 21.
Por Lakers nuk mundi t’i gëzohej plotësisht kësaj fitoreje, pasi në minutën e 21-të humbi shërbimet e LeBron James për probleme fizike. Gjithsesi, “Mbreti” arriti të shënojë 17 pikë e të rrëmbejë 13 topa në tabelë. Tani, te Lakers shpresohet që dëmtimi i James të mos jetë shumë i rëndë.
Tifozët në “Toyota Center” të Houstonit u bënë dëshmitarë të një ndeshjeje argëtuese mes skuadrës së Rockets dhe Oklahomës, me teksanët që në fund fituan me rezultatin 113-109. Si zakonisht, ai që drejtoi Houstonin drejt fitores ishte James Harden, me 41 pikë të shënuara, ndërkohë që një punë të mirë bënë edhe Capela, me 16 pikë e 23 topa në tabelë, dhe Gordon me 17 pikë.
Te Oklahoma, George e mbylli sfidën me 28 pikë e 14 topa në tabelë, Adams me 17 dhe Westbrook me 21.
Bostoni po shkëlqen sërish në kampionatin e NBA-së. Skuadra nga Massachusetts fitoi sfidën e radhës ndaj Philadelphias, 121-114, ku spikati basketbollisti simbol i Celtics, Kyre Irving, me 40 pikë e 10 topa në tabelë, ndërkohë që u paraqitën mjaft mirë në parket edhe Morris, me 23 pikë, e Tatum, me 23 pikë e 10 topa në tabelë.
Te “76ers” nuk mjaftuan 34 pikët e 16 topat në tabelë të Embiid, për të evituar humbjen.
Top Channel