Ngërçi politik fiku dritat e bredhit, por s’e ndal babagjyshin

25/12/2018 17:21

Mbyllja e qeverisë amerikane mund të ketë errësuar përkohësisht pemën kombëtare të Krishtlindjes në Uashington, por askush nuk duhet të dyshojë se babagjyshi do të mbërrijë në qytet, me ushtrinë që po ndjek udhëtimin e tij në të gjithë globin.

Ashtu siç ka bërë që nga viti 1950, agjencia kanadeze dhe amerikane e mbrojtjes “NORAD” vijon të përditësojë plakun e veshur me kostum të kuq, në udhëtimin e tij përreth botës.

“NORAD” ka sheshuar frikën e të vegjëlve, se mos gjurmuesi mund të mbyllej pasi ligjvënësit amerikanë dështuan të binin dakord për buxhetin, duke çuar në mbylljen e pjesshme të shërbimeve federale, përfshirë mirëmbajtjen e pemës së Krishtlindjes jashtë Shtëpisë së Bardhë.

“Pavarësisht mbylljes së qeverisë, ‘NORAD’ do të vazhdojë traditën e saj 63-vjeçare të gjurmimit të babagjyshit”, shkroi agjencia në një postim në Tëitter. Personeli ushtarak që e ndjek atë, mbështetet nga rreth 1.500 vullnetarë që e kanë bërë programin të mundur për çdo vit.

Përveç gjurmimit të babagjyshit, vullnetarët iu përgjigjen edhe dhjetëra mijëra telefonatave dhe “e-mail”-eve, nga fëmijë që shpresojnë të mësojnë më shumë detaje.

Madje, është traditë që disa prej telefonatave të devijohen drejt Shtëpisë së Bardhë, ku vet presidenti Trump dhe Zonja e Parë Melania u përgjigjen fëmijëve. Por, ndërsa bisedonte me një 7-vjeçar, Donald Trump shfaqi padashur natyrën e tij skeptike.

“A beson ende te babagjyshi? Sepse kur je 7 vjeç fillojnë dyshimet, apo jo?”, pyeti Trump fëmijën.

Përgjigjja e djaloshit, sidoqoftë i vuri një buzëqeshje të madhe presidentit në fytyrë, që gëzueshëm u shpreh: Oh, shumë mirë, uroj të kënaqesh shumë!

Top Channel