Rusia është përpjekur që prej shembjes së Bashkimit Sovjetik të rivendosë peshën e saj në arenën ndërkombëtare. Imazhi i kolosit që rrëzohej do ta shënjonte për një kohë të gjatë, por sot, kombi më i madh i globit shfaqet shumë më i guximshëm, më i fortë dhe me besim të shtuar në vetvete.

Sfera ruse e influencës ka marrë impulse të reja: prej vitesh ajo është rritur ndjeshëm, qoftë përmes politikave të jashtme agresive, qoftë përmes asaj që po shndërrohet në luftën më të madhe të kohës: ndikimit përmes teknologjisë. Pas gjithë kësaj, qëndron njeriu i parë nga kritikët si lider i stilit autokrat dhe nga admiruesit si udhëheqësi që solli stabilitetin pas Boris Yeltsinit: Vladimir Putin.

Disa ditë përpara se të zgjidhej president për herë të parë në vitin 2000, Putin i tha BBC-së se Rusia ishte “pjesë” e kulturës europiane, dhe se nuk e përjashtonte mundësinë e bashkimit me Nato-n. Gati dy dekada më vonë, kjo duket edhe më e pagjasë se atëherë. Por, vendi ka ndryshuar rrënjësisht nga Rusia kaotike e Yeltsinit. As e tatëpjeta e ekonomisë, sanksionet e ashpra të perëndimit, indinjata që ka shkaktuar brenda kufijve e jashtë tyre me mbytjen e bërë zërit të opozitës e aktivistëve për të drejtat e njeriut, apo konflikti që hapi në Ukrainë, nuk kanë mjaftuar për të zbehur popullaritetin e brendshëm të ish agjentit të KGB-së e për t`i shkulur nga duart pushtetin.

Na pëlqen apo jo, Putin ka pasur ndikim të madh në botë. Jo gjithmonë për mirë, sigurisht. Nëse do të përkufizohej ndjesia që kanë njerëzit sot për të në mbarë globin, fjala e duhur do të ishte: skepticizmi. Një sondazh i të famshmes Pew Research Center, i realizuar në më shumë se 25 vende tregoi qartë se shumica e të intervistuarve kishin pikëpamje gjerësisht negative për shefin e Kremlinit. Dhe kjo nuk kufizohej vetëm tek kreu i shtetit rus; as vetë Rusia nuk merrte pikë të larta. Rezultati i anketimit ishte i zymtë: në vetëm 4 vende nga 25, më shumë se gjysma e të anketuarve u shprehën pozitivisht për Moskën: është fjala për Filipinet, Tunizinë, Korenë e Jugut dhe Greqinë. Të tjerët, nuk janë shumë optimistë. Por, pavarësisht të gjithë kësaj, influence e Rusisë nëpër botë, prej kohësh tashmë nuk po njeh përveçse rritje. Sanksionet, izolimi gjeopolitik apo reputacioni i tij si njeri i pamëshirshëm, nuk e kanë penguar dot Vladimir Putin që të realizojë dëshirën e vet të madhe, projektimin e pushtetit të Moskës në të gjithë globin.

Roli i Rusisë nëpër botë sot perceptohet si më i rëndësishëm se përpara 10 vjetësh. Çfarë ka ndryshuar?  Vendi, praktikisht, arriti të ngrihej mbi trazirat ekonomike dhe politike  të periudhës post-sovjetike me synimin e qartë ta ripërvijonte veten si fuqi botërore. Putin e mbizotëron prej 18 vjetësh skenën  politike ruse, si figurë e padiskutueshme dominante, me dy mandate presidenciale, e katër vite të kaluara si kryeministër, për tu rikthyer më pas në Kremlin në 2012-tën e për të triumfuar pa vështirësi në zgjedhjet e 2018-tës. Është njeriu që i ka zënë frymën opozitës duke e kufizuar në nivel embrionik, ai që vetëm shtrëngon darën e hekurt mbi mediat, që nuk i ndahet kursit të çjerrë nacionalist; por ai është ndërkohë, edhe njeriu që me politikën e jashtme agresive ka arritur të krijojë një imazh të ri të Rusisë, që e kapërcen shumë atë të hijes së  dikurshme të vetvetes.

“Një fuqi e re po ngrihet në Lindjen e Mesme, dhe për këtë, merita duhet t`i njihet. Tre dekada pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, përgjatë të cilave Shtetet e Bashkuara u shfaqën si superfuqia e pakundërshtueshme në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, Rusia është kthyer me hov të ri. Nën drejtimin personal të Vladimir Putinit, ajo ka zënë vakumin e lënë pas prej mosangazhimit të administratës Obama dhe paparashikueshmërisë së Trumpit, duke sfiduar rolin dominues të SHBA-së në rajon”.

Lindja e Mesme sot gëlon nga rusët; tregtarë nafte, trafikantë armësh, financierë ; këta njerëz i gjen gjithandej në rajon, duke vulosur kontrata miliarda dollarëshe, dukë ripërtërirë marrëdhëniet e vjetra e dukë farkëtuar të reja nga Libia në Gjirin Persik. Dhe fijet i tërheq të gjitha njeriu i fortë në Kremlin, i cili me manovrat e strategjitë e tij, ka arritur t`ua imponojë imazhin e vet sundimtarëve autoritarë të rajonit, duke mbërritur deri në skutat më të thella ku kanë hedhur rrënjë dyshimet mbi angazhimet e Washingtonit në Lindjen e Mesme.

“Putin e ka paraqitur gjithmonë veten si liderin që e nxori Rusinë nga kriza ekonomike, sociale dhe politike e viteve 1990 dhe si mbrojtësin e madh të interesave kombëtare sidomos përballë asaj që e trumpeton si armiqësi të perëndimit ndaj Rusisë. Por ndërsa kundërshtarët dhe kritikët në shtëpi e akuzojnë për minimin e institucioneve apo zhvillimit demokratik të vendit, Moska po shijon sot një lloj influence jashtë kufijve e cila nuk ishte parë që prej ditëve të Bashkimit Sovjetik”.

Perse është rritur kaq shume influenca ruse në botë sot?

Një shtysë të madhe, kësaj rritjeje të ndikimit ia dha ndërhyrja ushtarake e Moskës në Siri. Putini e arriti atje objektivin e tij ambicioz, i cili ishte: “t`i shpëtonte kokën presidentit Bashar Al Assadit”.

 Në fund, ishte Putini që u duk se triumfoi edhe në përplasjen me Turqinë për shkak të avionit luftarak të rrëzuar rus në 2015-tën:  incidenti shkaktoi një krizë në të cilën, Rexhep Tajip Erdoan fillimisht u shfaq kokëfortë. Ai refuzoi apologjinë që  Putini po priste, por pas acarimit të marrëdhënieve, e sigurisht, edhe kërkesës së shefit të Kremlinit drejtuar rusëve për bojkotimin e pushimeve në Turqi, kreu i shtetit turk u zbut. Putin nga ana tjetër, pasi i tregoi dhëmbët kundërshtarit, i zgjati dorën e miqësisë, duke i çtensionuar sërish marrëdhëniet e duke përforcuar aureolën mbrojtëse mbi Assadin, përmbysjen e të cilit, Ankaraja e kërkonte me forcë që prej nisjes së revoltës në 2011-tën.

Bashkimi sovjetik ka qenë superfuqi, dhe Rusisë iu desh shumë kohë për ta ripërcaktuar veten sërish në skenën globale. Tani, është pothuajse çdo ditë në titujt e gazetave: nga sa kujton Al Jazeera, ajo në 2010-tën u bë vendi i parë që njohu qeverinë e vetëshpallur të Kirgistanit, e cila madje pretendoi se merrte mbështetje financiare nga Moska; kritikët thanë asokohe se Rusia bëri më shumë se aq; ajo sipas tyre, ishte përkrahëse aktive e grushtit të shtetit që solli përmbysjen; dyshime të mëdha rrethuan aksidentin ajror që zhduku në mënyrë të paprecedentë një pjesë të mirë të elitës politike të Polonisë: kreu i atëhershëm i shtetit polak Lech Kaczynski, Zonja e Parë dhe 94 persona të tjerë, përfshirë figura publike e ushtarake, vdiqën që të gjithë prej rrëzimit pranë Smolenskut të Tupolevit- 154M që po i çonte në ceremonitë përkujtimore të masakrës së Katinit.

 Ekspertë polakë e rusë të aviacionit dolën në përfundimin se bëhej fjalë thjesht për një fatkeqësi, një gabim të pilotit; por partia e Ligj dhe Drejtësi e Kaczynksit kërkoi një hetim tjetër, rezultati i të cilit ishte se kishte pasur dy shpërthime në bord dhe se avioni me shumë gjasë, që copëtuar ende pa e prekur tokën. Ish ministri i mbrojtjes, Antoni Macierewicz e akuzoi hapur Rusinë si shkaktare të tragjedisë, por Putini mohoi gjithçka e i kërkoi Polonisë të “hapte një kapitull të ri dhe të rritej”.

Marsin e 2014-tës, Rusia aneksoi Krimenë; 23 shkurtin e atij viti, demonstrata pro-ruse u mbajtën në Sevastopoli; katër ditë më vonë trupa ruse me maska, me uniforma jeshile ushtarake jopërcaktuese morën parlamentin. Vetëm 17 prillin e atij viti, Putini e pranoi për të parën herë publikisht se forcat special ruse ishin përfshirë në ngjarjet e Krimesë, me qëllimin, siç e justifikoi ai, të mbrojtjes së banorëve lokalë dhe për të krijuar kushtet e duhura të referendumit. Pak kohë më vonë, erdhi dhe pohimi tjetër nga njeriu i fortë i Kremlinit: forcat e armatosura ruse i kishin bllokuar ato ukrainase në Krime gjatë eventeve në fjalë.

Po në atë periudhë, protesta pro-ruse shpërthyen në Donjeck e Luhansk, në lindje të Ukrainës; ato do të përshkallëzoheshin deri në konflikt të armatosur dhe vetëshpalljen e të dy këtyre rajoneve si republika.

Por makineria e influencës ruse funksionon edhe në mënyra të tjera shumë më të sofistikuara e të heshtura: ajo është furnizuesja më e madhe e Europës me energji, dhe kontinenti i vjetër, sado që po përpiqet, nuk shkëputet dot prej kësaj varësie. Moska ka farkëtuar marrëdhënie të ngushta me Iranin, në Bruksel shumë janë të bindur se rusët po përpiqen nën rrogoz ta dobësojnë bllokun europian përmes dezinformimit të qëllimshëm, ndërsa në Washington, në krye të Shtëpisë së Bardhë është një president që ka shprehur admirim për Putinin, edhe pse në disa raste, është përpjekur gjithsesi të distancohet prej tij.

28 prill 2018

“Ajo që po them është se ndoshta do të kemi një marrëdhënie të mirë. Ai është treguar mjaft pozitiv me mua. Nëse mund t`I bëjmë një shërbim të madh vendit dhe të dhe të merremi vesh me Rusinë, do të ishte e jashtëzakonshme. Do të më pëlqente ta provoja”, tha Trump.

9 tetor 2016

“Unë nuk e njoh Putinin. Do të ishte mirë nëse kuptohemi me Rusinë sepse mund të bëjmë gjëra bashkë si për shembull, lufta kundër Isis-it, por unë nuk e njoh Putinin” deklaron Trump.

Trump ndoqi me Putinin një linjë shumë të ndryshme nga ajo e paraardhësit të vet, Barak Obama; sinjalet e zbutjes që ai kishte dërguar, e patën nxitur sakaq edhe vlerësimin e palës tjetër për manjatin e pasurive të patundshme të kthyer në politikan.

“Trump është një njeri shumë i gjallë, e padyshim, edhe mjaft i talentuar”, deklaron Trump.

Por, sa lidhje ka ky admirim reciprok me bindjen e shumë amerikanëve se Rusia ka ndërhyrë masivisht në presidencialet e 2016-tës?  Ekipi i Robert Muellerit po heton atë që Trumpi e përgënjeshtron si “mashtrim” dhe  “gjueti shtrigash”, ndërsa pjesëtarët e tij e konsiderojnë një ndërhyrje që mban prekjen personale të Putinit, e që ka përfshirë instrumente publikë dhe privatë ruse, të motivuara nga guximi dhe aftësia për të cënuar politikën aktuale amerikane përmes një arme të fortë të kohës: teknologjisë.

“Rusë me lidhje të forta kanë punuar në mënyrë agresive për të rekrutuar apo influencuar njerëz brenda fushatës së Trumpit. Për shumë amerikanë, ndërhyrja mund të jetë dukur si një sulm surprizë, një lloj Pearl Harbori kibernetik. Për Putinin megjithatë, ishte një shpagim i vonuar, një përgjigje e justifikuar prej vitesh të tëra “provokimi” nga Shtetet e Bashkuara’ shkruan  New York Times. 

Fushata e vrullshme ruse e dizinformimit politik në mediat sociale në Shtetet e Bashkuara ishte, siç thuhet në raportin e Komitetit të Inteligjencës së Senatit Amerikan, akoma edhe më e shtrirë nga sa u mendua fillimisht, me të ashtuquajturat “fabrika troll`që kanë punuar për shkurajimin e votuesve me ngjyrë dhe për të “mjegulluar linjat mes realitetit dhe trillimit”; objektivi, nga sa pretendohet, ka qënë të ndihmohej zgjedhja e Trumpit në 2016-tën. Hija e hakeravë rusë nuk u shtri vetëm në Amerikë; këmbanat e alarmit nga ky rrezik i padukshëm ranë edhe në Francë, Gjermani, e vende të tjera europiane.

Në fund të fundit, siç shprehej për “Deutsch Welle” pak kohë më parë Alexander Varskoj, prej njëzet vjetësh aktiv në skenën e hakerave ruse, kjo botë qeveriset përherë e më shumë prej klikimeve, dhe gjithmonë e më pak prej ligjeve. Jashtë stratagemës së madhe ruse nuk kishte sesi mbetej Ballkani, vendi i përplasjes së perandorive, etnive e besimeve, e së fundi, fushëbeteja e asaj që disa analistë priren ta shohin si një luftë të re të ftohtë. Rusia thonë ata, është duke e shtrirë ndikimin e saj e duke i fryrë tensionet etnike mes vendeve qe shpresojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Përfshirja e saj e shkundi Brukselin nga dremitja duke e nxitur të ripërtërinte synimet e fjetura të zgjerimit, ndërsa Washingtonin, të rifreskonte vëmendjen për rajonin.

Qasja e Rusisë ka pasur reagime të përziera. Investimi i saj në Lindjen e Mesme ka dhënë fryte boll, por në Europë veprimet e Moskës i mobilizuan qeveritë perëndimorë të marrin masa. Megjithatë, fakti mbetet, se për të parën herë që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Shtetet e Bashkuara po përballen me një Rusi, që nuk është siç thoshte dikur Barak Obama “thjesht një fuqi rajonale”, por një shtet i cili po përpiqet ta projektojë influencën në mënyrë aktive e ta imponojë praninë e tij shumë përtej “periferisë” së vet.

Nga Irida Vasia

 

Top Channel