Marrëveshja e paqes SHBA-Iran, reagon Papa Leoni XIV: Falënderojë Zotin, shpresoj që lufta të mbarojë dhe të ecim përpara
Samiti midis Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar do të mbahet më 22 korrik në Bruksel, njoftuan të martën Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa dhe Kryeministri britanik Keir Starmer.
Ky do të jetë samiti i dytë midis dy palëve që nga Brexit, pas atij të organizuar në Londër në maj 2025.
Britania u largua zyrtarisht nga BE në vitin 2020, katër vjet pas një referendumi që ndau vendin.
“Bashkëpunimi i ngushtë midis BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar është thelbësor për sigurinë, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin tonë të përbashkët evropian”, shkroi Antonio Costa në Platformën X pasi u takua me Starmer në samitin të G7 në Evian.
“Ne po punojmë ngushtë për ta bërë këtë samit një sukses”, shtoi ai.
“Qeveria Laburiste po përmbush premtimin e saj për të rinovuar marrëdhënien tonë (me BE-në) dhe për ta rikthyer Britaninë në zemër të Evropës. Së bashku, ne do të trajtojmë koston e jetesës, do të nxisim tregun e punës dhe do të krijojmë mundësi për të rinjtë”, siguroi kryeministri britanik.
Në vitin 2024, Starmer fitoi zgjedhjet në bazë të një afrimi me BE-në, por ai gjithashtu vendosi shumë “vija të kuqe”: Londra nuk do të kthehej në tregun e vetëm, në bashkimin doganor dhe as nuk do të lejonte lëvizjen e lirë.
Në maj, ai tha se donte një “hap të madh” përpara në samitin e korrikut, në fusha të tilla si tregtia, mbrojtja dhe bashkëpunimi i sigurisë. Qeveria e tij gjithashtu dëshiron të punojë më ngushtë me BE-në për çështje të tilla si tarifat e çelikut, standardet e energjisë dhe ushqimit.
Top Channel