I vënë në rolin e studentit në studio, në takimin e kësaj të mërkure të emisionit “Top Talk”, gazetari Denis Dyrnjaja iu drejtua zv.kryeministres Senida Mesi, e ftuar për të folur mbi kushtet e studentëve protestues, shkurt dhe qartë: Kemi vënë disa kushte, duam një afat se kur do të realizohen ato!

“Pikërisht për këtë arsye duhet të ulemi së bashku, të diskutojmë dhe të kuptojmë mirë njëri-tjetrin se çfarë do të thotë realizimi i të gjitha këtyre pikave. Së pari ka nevojë për ndryshime ligjore, të cilat nuk mund të bëhen sot për nesër, sepse duhet ekspertiza dhe koha e vet për gjithçka. Ka nevojë edhe për modifikimin e buxhetit, duhet përcaktuar se kur do të hyjnë në fuqi të gjitha këto, nëse do të hyjnë në janar të 2019-s për studentët e vitit akademik 2018-2019, apo do të rregullohet gjithçka për të hyrë në fuqi vitin e ardhshëm akademik”, deklaroi Senida Mesi.

E nëse zv.kryeministrja flet me durimin e një qeveritari apo qeveritareje, studentët flasin me padurimin e tyre. Ata janë sot në rrugë për shkak se nuk presin kaq gjatë. Ndoshta ata kështu e mendojnë, kushtet e tyre janë të panegociueshme dhe të padialogueshme me qeverinë. A ka qeveria një plan të dytë, nëse studentët vijojnë të thotë Jo, jo dhe jo…?

“Të flasim me një gjuhë panegociueshmërie është shumë e thjeshtë. Unë kam besim se edhe me të gjithë studentët që protestojnë sot kemi një mirëkuptim se çdo gjë kërkon kohën e caktuar. Nëse kryeministri ka deklaruar se do të ketë përgjysmim të tarifave, do të kemi një të tillë. Do të gjenden mekanizmat për të përdorur fondet rezervë për të kompensuar apo subvencionuar pjesën e rimbursueshme, gjë që nuk ishte parashikuar nga shtatori deri në nëntor, kur ne hartuam buxhetin. Por a mjafton vetëm përgjysmimi i tarifës, që për asnjë universitet nëpër rrethe nuk ka qenë pengesë? Për studentët jashtë Tiranës, sikurse edhe për ata në kryeqytet, problematika ka qenë me infrastrukturën arsimore dhe akomoduese, cilësia e mësimdhënies, qasja në biblioteka etj. Aktualisht kemi në dorë edhe draftin e Këshillit të Ministrave për Kartën e Studentit. Do të ishte shumë e thjeshtë nëse ne do të nxirrnim dhe prodhonim në kartë studenti që njihet vetëm në Republikën e Shqipërisë”, tha Mesi.

Top Channel