Sfida me PSV-në, Spalletti: Më e rëndësishmja që kur erdha tek Interi

10/12/2018 18:32

Trajneri i Interit, Luciano Spalletti beson se ndeshja e së martës në Champions League, kundër PSV Eindhovenit në “San Siro”, do të jetë sfida më e rëndësishme për ekipin italian që kur ai ka ardhur në krye të pankinës vitin e kaluar.

“Kjo ndeshje është më e rëndësishmja që kur kam ardhur këtu, pasi përfaqëson kalimin në një stad tjetër”, tha Spalletti, i cili udhëhoqi Interin drejt rikthimit në kompeticionin elitar europian këtë sezon, për herë të parë që prej sezonit 2011-2012.

“Që kur kam ardhur këtu kemi marrë pikët që na janë dashur dhe kemi bërë paraqitjet që kemi pasur nevojë. Tashmë, jemi në pikën kur luajmë për një vend në 16 më të mirat e kontinentit, në ditën e fundit të fazës së grupeve. Që të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e kësaj ndeshjeje, ndaj dhe lojtarët kanë punuar vërtet shumë mirë”, tha Spalletti.

Inter do të renditej i dyti dhe do të kualifikohej për më tej në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë, nëse rrëmben më shumë pikë sesa ato që do të marrë Tottenhami përballë Barcelonës kryesuese të grupit.

Por, ekipi i Spallettit vjen pas dy humbjesh radhazi 1-0, fillimisht ndaj Tottenhamit, e më pas përballë Juventusit në Serie A, e tashmë e shohin veten 14 pikë larg kreut të Serie A, në vendin e tretë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA