Parlamenti hodhi shortin për të zgjedhur anëtarët e Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi. Dy anëtarë nga Gjykata Kushtetuese u zgjodhën automatikisht dy emrat e vetëm që kishte dërguar ky institucion, Bashkim Dedja dhe Vitore Tusha, kjo e fundit e propozuar nga presidenti për kryetare të KLSH-së.

Nga Gjykata e Lartë, shorti zgjodhi Ardian Dvoranin, dhe si zëvendësues Medi Bicin. Të dy kanë kandiduar edhe për në Gjykatën Kushtetuese, anëtarët e së cilës duhet të zgjidhen nga KED-ja, ku edhe u shortuan.

Nga Prokuroria e Përgjithshme u zgjodh automatikisht Arta Marku, si e vetmja kandidaturë që plotësonte kushtet. Këtë herë, mazhoranca ndoqi të njëjtën logjikë kriteresh, për të cilën kishte kundërshtuar Adriatik Llallën në shortet e mëhershme.

“Po bëni të njëjtën gjë që keni kundërshtuar më herët”, tha Oerd Bylykbashi gjatë mbledhjes.

Nga Prokuroritë e Apelit kaloi si e vetmja kandidaturë Fationa Memçaj; nga Gjykatat e Apelit u shortuan Fatri Islamaj dhe Margarita Buhali; ndërsa nga Gjykata Administrative, Eriol Roshi.

Opozita, që ndoqi shortin, akuzoi Parlamentin se me këtë short i zaptoi kompetenca presidentit, në vend që të plotësojë vakuumin ligjor të konstatuar nga kreu i shtetit.

“Presidenti e ka bërë të qartë se do të ushtrojë detyrën, por nuk ka bazë ligjore. Kështu që pa bazë ligjore nuk mund të hidhni shortin. Kandidatët filtrohen nga 3 organe kushtetuese; Gjykata Kushtetuese, KLGJ dhe KLP, me këto të fundit që nuk janë ngritur ende”, tha Bylykbashi.

“Letrën e presidentit për shortin e kam konsultuar me ekspertët ligjorë të Kuvendit, me EURALIUS-in dhe OPDAT-in”, iu përgjigj Gramoz Ruçi.

Sipas opozitës, me këto veprime mazhoranca po përpiqet që të kapë sistemin e drejtësisë.

FOTO GALERI
9/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA