Foto ilustruese

Mesditën e kësaj të enjteje, në kryeqytetin shqiptar është nënshkruar marrëveshja për të sjellë në Shqipëri të gjithë eksperiencën dhe menaxhimin në fushën e hotelerisë, të kompanisë gjigante amerikane “Hyatt Hotels Corporation”, me seli në Chicago.

Standardet më të larta të hotelerisë vijnë në Shqipëri falë bashkëpunimit të këtij “brand”-i të famshëm amerikan me “Kastrati Group”, për të menaxhuar pikërisht ambientet e ish-hotel Sheratonit pasi bleu “Mak Albania”-n.

Turizmi elitar shqiptar do të ketë tashmë një “Hyatt Regency and Residency”, hoteli i parë me 5 yje në Shqipëri dhe që do të ketë kapacitete më të mëdha sesa më parë, por edhe një pasaportë “gold”.

Çasti i firmosjes së marrëveshjes.

Në fjalën e tij mbajtur gjatë kësaj ceremonie, kryeministri Rama theksoi ndër të tjera rekomandimet apo ankimet që lënë zakonisht vizitorët e huaj kur vijnë në Shqipëri, teksa të bie në sy problemi i akomodimit jo të përshtatshëm.

Një investim kaq i rëndësishëm për një hotel me 5 yje në Shqipëri sjell shumë përfitime për ekonominë shqiptare, qoftë me punësimin e stafit të tij, ashtu dhe me shpenzimet më të mëdha që do të bëjnë turistët kur gjejnë një shërbim dhe akomodim më të rehatshëm.

“Jemi i vetmi vend në rajon që nuk kemi ende një hotel me 5 yje, që janë elita e industrisë së turizmit. Tashmë jemi në nisje të një projekti gjigant për sjelljen e Hyatt, që do të lërë në harresë njëherë e mirë edhe lotët e atyre që u pikëlluan kur u largua Sheratoni. Në fakt, as ai nuk ishte një hotel i mirëfilltë me 5 yje, pavarësisht pretendimeve”, tha Rama.

Duke uruar ata që bënë të mundur këtë marrëveshje, Rama tha se nuk i mbetej gjë tjetër veçse të priste për të qenë i pranishëm në ceremoninë e radhës së nënshkrimit të një tjetër kontrate me një tjetër markë të fuqishme.

Top Channel