Tirana përkujtoi sot 106-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në sheshin simbol të shqiptarëve, sheshi “Skënderbej”, nën tingujt e Bandës frymore të Tiranës dhe 400 nxënësve të cilët kënduan Himnin Kombëtar, u zhvillua ceremonia e ngritjes së Flamurit Kombëtar.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me dy fëmijë ngriti simbolikisht flamurin në një ceremoni të shenjuar nga mijëra tullumbace kuq e zi dhe uroi të gjithë shqiptarët Gëzuar 28 Nëntorin, 106-vjetorin e Pavarësisë. Mandej, Veliaj tha se historia ka treguar se pavarësisht minorancave të zhurmshme, progresi i Tiranës dhe i vendit nuk do të ndalet.

“Kushdo që është tirans i vjetër apo tirans i ri, i viteve të fundit, duhet të ndihet krenar që është pjesë e një qyteti, i cili gjithmonë ka pasur një shpirt dhe zemër në momentet më të rëndësishme të historisë së kombit tonë. Në fakt, historia nuk ka ndryshuar shumë, edhe në ato kohë kishte njerëz që nuk ishin dakord me këto veprime. Për ju që jeni akoma nxënës jam i sigurt që po lexoni librat e historisë për një lëvizje që quhej “dum babën”; lëvizja “dum Babën” ishte një minorancë e zhurmshme shqiptarësh, jo të huajsh, të cilat thoshin mirë këta me pavarësi, por ne preferojmë të rrimë të pushtuar, të bëjmë pakt me zaptuesin, me pushtuesin. Edhe atëherë, jo të gjithë donin këtë flamur, jo të gjithë donin këtë himn. Kishte një minorancë që bënte zhurmë dhe që nuk e donte këtë vendim të rëndësishëm për progresin e kombit dhe thoshin ‘dum Babën’”, tha ai.

Duke u ndalur te projekti i Unazës së Madhe, Veliaj theksoi se edhe sot lipset që të merren vendime të tjera të rëndësishme për të vijuar progresin, teksa shprehu vendosmërinë më shumë se kurrë për të vazhduar projektin e urbanizimit të Tiranës. “Edhe sot do të duhet të marrim vendime të rëndësishme. Vendimi për ta shpallur Shqipërinë të pavarur, më vete dhe për të vendosur që ky vend të progresojë ishte një vendim i rëndësishëm. Sot lipset që të marrim vendime të tjera të rëndësishme, që të jemi një qytet, një shtet modern. Sot lipset që të kemi progres, që minoritetet e zhurmshme t’i respektojmë për fjalën e tyre, por shumica e heshtur të vazhdojë përpara. Nëse do të dëgjonim çdo minorancë të zhurmshme që thotë “dum babën”, nuk do e kishim këtë shesh, nuk do e kishim atë Pazar të Ri, nuk do e kishim atë Bulevard, nuk do e kishim Parkun, Lodrat te Liqeni. Nuk do të kishim shumë prej vendimeve të rëndësishme që merr shumica e heshtur dhe e drejtë e këtij qyteti. Ndaj, miqtë e mi, ne jemi më të vendosur se kurrë për të vazhduar projektin e modernizimit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Tirana do ta ketë një Unazë të Madhe për të fituar pavarësi nga trafiku, nga bllokimi, nga zaptimi”, vijoi kreu i bashkisë.

Të gjitha familjet që ndërtesat i kanë me leje do të shpronësohen sipas parashikimeve në ligj, ndërsa për ata që s’kanë dokumente pronësie do të ofrohet mbështetje sociale, duke filluar që nga bonusi i qirasë e deri te banesat sociale. “Përsa kohë që ky qytet, me bujarinë e vet, ka vendosur se banesat sociale mund të përdoren pa limit, dhe nëse dikush nuk do banesë sociale do të marrë bonus qeraje, për të tjerët ka shpronësim dhe për gjithë të tjerët plotësim i çdo nevoje brenda arsyes së këtij kombi, unë besoj se Tirana ditët më të mira i ka përpara dhe duhet të vazhdojë non stop me marshin e 5 për progresin e qytetit dhe vendit tonë”, deklaroi ai.

Veliaj theksoi se progresi i mëtejshëm i vendit është një detyrim ndaj sakrificave i të gjithë atyre që punuan për Pavarësinë e vendit, por edhe një detyrim ndaj gjeneratës së ardhshme. “Ne do të akomodojmë këdo që ka nevojë për solidaritetin e qytetit tonë. Ky qytet nuk la pa shtëpi dhe pa bukë hebrenjtë në kulmin e Luftës së Dytë Botërore. E sigurt që ky qytet me këtë bujari dhe histori të lavdishme nuk do të lërë asnjë njeri pa shtëpi dhe pa bukë, ama nuk do të lëmë as qytetin pa u zhvilluar. Ia kemi borxh atyre që themeluan këtë qytet, ia kemi borxh gjeneratës së re që nuk do të na e falë kurrë nëse ata që thonë sot “Duam Babën” pengojnë zhvillimin e qytetit. Jam shumë mirënjohës për të gjithë ata qytetarë bashkëpunues të zhvillimit të Tiranës. Unë e kuptoj se vendimet nuk janë të lehta, as vendimi i Pavarësisë nuk ishte i lehtë, as vendimi i Çlirimit nuk ishte i lehtë dhe sot as vendimet që Shqipëria të zhvillohet dhe Tirana të progresojë nuk janë vendime të lehta”, tha Veliaj.

FOTO GALERI
3/7

Top Channel