Fundjava e ka gjetur Presidentin Ilir Meta në Manastir, aty ku pasi përkujtoi 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe shpërndau në mënyrë simbolike 110 abetare për fëmijët shqiptarë, Kreu i Shtetit u ndal edhe në fshatin Mexhitli.
Ky është një nga fshatrat me shumicë shqiptare në Maqedoni dhe aty Presidenti Meta është pritur nga autoritetet vendore dhe nga dhjetëra banorë, pasi kjo është vizita e parë e një Presidenti shqiptar. Banorët kanë shprehur falënderimet e tyre për këtë vizitë, dhe për kujdesin që Meta tregon për shqiptarët e Maqedonisë.
“Ju dhe të gjithë shqiptarët në Maqedoni kurrë nuk do të jeni vetëm. Shteti shqiptar do të qëndrojë gjithmonë pranë jush. Ju jeni krenaria shqiptare e zonës së Manastirit. Ju falënderoj që mbani gjallë e trashëgoni vlerat dhe traditat më të mira të shqiptarëve. Kruja, Vlora, Prizreni e Manastiri janë qytetet me te rëndësishme për ne shqiptaret”, u shpreh Meta.
Edhe në një postim në Facebook, Meta ka ndarë foto nga vizita në Mexhitli, teksa shkruan: “Një takim mjaft i përzemërt me shqiptarët e Mexhitlije (Manastir), fshatit më skajor në kufi me Greqinë. Ndamë së bashku bindjen se kohë më të mira po vijnë edhe për ta, me perspektivat e reja të anëtarësimit në NATO të Maqedonisë dhe çeljes së negociatave me BE vitin e ardhshëm. Mirënjohje të gjithë atyre që qëndruan në kohë të vështira si shqiptarë dhe ruajtën me krenari gjuhën kombëtare, Alfabeti i së cilës u themelua në Manastir për t’i bashkuar shqiptarët kudo”.
Top Channel