Konfederata Aziatike i bashkohet UEFA dhe Concacaf, del kundër planit të FIFA-s për shitjen e aksioneve te investitorët privatë
Një përplasje e paprecedentë ka tronditur themelet e qeverisë botërore të futbollit.
Këshilltari i Lartë i FIFA-s, Carlos Cordeiro, dhe Drejtori i Operacioneve, Kevin Lamour, kanë dalë publikisht kundër presidentit Gianni Infantino, duke e akuzuar atë për mashtrim dhe vendimmarrje autokrate lidhur me një plan të fshehtë për shitjen e një pjese të aksioneve të Kupës së Botës te fondet e kapitalit privat.
“Administrata u mashtrua nga një njeri i vetëm”
Në një deklaratë të fortë për Associated Press, Drejtori i Operacioneve, Kevin Lamour, mbrojti stafin e FIFA-s dhe sugjeroi që projekti kontrovers të pezullohet menjëherë. Ai u shpreh se punonjësit janë “mashtruar” nga mungesa e transparencës së Infantinos gjatë muajve të fundit dhe se ata “meritojnë më shumë sesa përbuzje dhe frikësim”.

“Për ta thënë qartë dhe drejtpërdrejt: ky projekt që ka shkaktuar kaq shumë reagime nuk është punë e FIFA-s. Nuk është punë e administratës sonë, por ekskluzivisht e një personi të vetëm. Nuk u injoruan vetëm zëvendëspresidentët, anëtarët e Këshillit, konfederatat, ligat, klubet dhe tifozët, edhe vetë administrata e FIFA-s u mashtrua,” shkroi zyrtari i lartë francez. Lamour e cilësoi këtë situatë si një “gënjeshtër me mosveprim” dhe një ushtrim të njëanshëm të pushtetit, që dëshmon mungesë besimi, transparence dhe qeverisjeje të mirë.
Thirrje për përgjegjësi: “FIFA nuk është pronë personale”
Bashkëpunëtori-jetëgjatë i Infantinos (si në UEFA, ashtu edhe në FIFA) nuk e kyuajti gjuhën kritike, duke kërkuar që udhëheqësit e futbollit të marrin vendimet e duhura: Misioni i FIFA-s: “Misioni ynë, i qindra punonjësve të përkushtuar e shembullorë, është t’i shërbejmë futbollit, jo interesave personale të një njeriu që, për fat të keq, beson se mishëron FIFA-n.”
Klima në organizatë: “Një president duhet t’i bashkojë dhe t’i frymëzojë njerëzit, por sot po përjetojmë të kundërtën. Shumë prej nesh nuk ndihen më krenarë që punojnë për FIFA-n, dhe kjo më trishton.”
Gati për shkarkim: “Të paktën sonte do të fle i qetë”
Edhe pse nuk ka dhënë ende dorëheqjen nga detyra që mban që prej vitit 2024, Lamour u shpreh i vetëdijshëm se kjo deklaratë mund t’i kushtojë vendin e punës, duke i bërë një sfidë të hapur presidentit të FIFA-s: “Kam një detyrim besnikërie ndaj punëdhënësit tim, por mbi të gjitha kam detyrim ndaj vlerave, edukimit tim dhe kolegëve të mi. Nëse kjo do të thotë të humbas punën, le të jetë kështu. Do ta kuptoj dhe do ta respektoj atë vendim. Të paktën sonte do të fle i qetë.”

Dorëheqja e Carlos Cordeiro-s dhe prapaskenat e miliardave
Deklarata shpërthyese e Lamour (i cili hyri në botën e futbollit dy dekada më parë si bashkëpunëtor i Michel Platini-t) erdhi vetëm pak orë pas dorëheqjes së Carlos Cordeiro-s, Këshilltarit të Lartë të Infantinos. Cordeiro, një ish-bankier i Goldman Sachs dhe ish-president i Federatës Amerikane të Futbollit, u bëri thirrje zyrtarëve të tjerë të flasin hapur kundër kësaj marrëveshjeje.
Propozimi kontrovers: Plani parashikon krijimin e një dege komerciale me vlerë 20 miliardë dollarë, e mbështetur nga një fond investimi në Nju-Jork, i drejtuar nga Joshua Kushner. Qëndrimi i Cordeiro-s: “Nuk mund të rri duarkryq ndërsa FIFA shqyrton shitjen e një pjese të aksioneve të Kupës së Botës. Nuk kam pasur asnjë përfshirje në këtë propozim dhe e kundërshtoj fuqimisht; është një marrëveshje e keqe për futbollin.”
Top Channel