Një dokumentar i shumëpritur mbi Aretha Franklin do të shfaqet “premierë” në Nju Jork, 46 vite pas filmimeve.

“Amazing Grace” është xhiruar nga regjisori Sydney Pollack, në vitin 1972, por qëndroi për dekada në formë të paredaktuar. Vite komplikacionesh ligjore pasuan, e tani, më në fund filmi do të debutojë në “Doc NYC Festival” më 12 nëntor, me mbështetjen e familjes së këngëtares.

Mbretëresha e “Soul”-it, e njohur për hite si “Respect” dhe “Think”, ndërroi jetë nga tumori në gusht, në moshën 76-vjeçare.

Filmi “Amazing Grace” u përfundua në vitin 2011 për shkak të problemeve teknike. Pas kësaj, Franklin dhe avokatët e bllokuan publikimin e tij në vazhdimësi. Problemet ligjore u kapërcyen vetëm pas vdekjes së këngëtares, kur familja e saj ndezi “dritën jeshile”.

Filmi është xhiruar në dy net, në kishën baptiste “New Temple” në Los Angeles, kur Franklin regjistroi albumin e saj “Amazing Grace”.

Sidoqoftë, Pollack, që më pas fitoi edhe një “Oscar” për “Out of Africa”, bëri një gabim gjatë regjistrimit në vitin 1972. Duke mos përdorur caket, një mjet thelbësor për sinkronizimin e zërit me figurën në erën paradigjitale, ai bëri 20 orë filmime frustruese dhe të vështira për t’u redaktuar.

Studio “Warner Bros”, që financoi xhirimet, në fund u dorëzua. Në vitin 2008, edhe vet Pollack u nda nga jeta, por ndërkohë një vit më parë, producenti Alan Elliot kishte siguruar të drejtat e filmit. Ai mblodhi një ekip, që ia doli të realizonte filmin duke përdorur teknologjinë digjitale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA