Agjencia Kombëtare e Krimeve në Britaninë e Madhe ka nisur hetimet mbi Arron Banks dhe fushatën e zhvilluar prej tij pro shkëputjes nga BE-ja, pas dyshimeve se ka kryer shkelje në referendumin e vitit 2016 mbi qëndrimin apo jo në unionin europian.
Banks është referuar në agjencinë ligjzbatuese kombëtare së bashku me një tjetër figurë të lartë të kësaj fushate, Liz Bilney, nga Komisioni Zgjedhor. Organi mbikëqyrës thotë se, dyshohet që Banks të mos jetë “burimi i vërtetë” i fondeve për fushatën dhe se paratë mund të kenë ardhur nga “burime të palejueshme”.
Vet personi i marrë nën hetim mohon të ketë shkelur ligjin dhe tha se mirëpret hetimin policor. Ai tha se ishte “besimplotë se një hetim i plotë dhe i paanshëm do t’iu japë fund akuzave qesharake të ngritura ndaj meje dhe kolegëve të mi”.
“Nuk ka asnjë provë të diçkaje të paligjshme nga kompanitë që zotëroj unë. Unë jam një taksapagues britanik dhe kurrë nuk kam marrë donacione të huaja. Komisioni Zgjedhor nuk ka sjellë asnjë provë për të kundërtën”, shton ai në një deklaratë për mediet.
Ai pretendon madje se Komisioni Zgjedhor ka vepruar “nën presion intensiv politik” nga mbështetësit e fushatës kundër “Brexit”-it. Banks ndodhet aktualisht në Bermuda, nga ku publikoi edhe një foto të tijën në rrjetin social “Twitter”, pas lajmit për nisjen e hetimit policor.
Gone fishing ! pic.twitter.com/KPUwpl1DWI
— Arron Banks (@Arron_banks) November 1, 2018
Disa mbështetës të fushatës për qëndrimin në BE kanë sugjeruar tashmë se, procesi i “Brexit”-it duhet pezulluar deri në përfundimin e këtij hetimi.
Hetimi ndaj Banks vjen pas zbulimit që është bërë në medie se, ai kishte zhvilluar një seri takimesh sekrete me zyrtarë të lartë të Ambasadës ruse në Londër, gjatë kohës së referendumit të vitit 2016.
Top Channel