Presidenti, Ilir Meta ka kërkuar konsultime me palët politike për datën e zgjedhjeve të ardhshme lokale. Konsultimet nisën në orën 11:15 me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Pas takimit, Balla tha për mediat se zgjedhjet mund të mbahen në një nga dy të dielat e fundit të qershorit. Pra, në 23 qershor ose në 30 qershor.
Balla tha se u diskutua me Presidentin edhe një kërkesë e operatorëve turistikë që zgjedhjet të mos zhvillohen në fund të qershorit, pasi krijojnë pengesë për sezonin turistik.
Pas Ballës, në Presidencë mbërriti kreu i grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho, i cili shmangu gazetarët duke evituar komentet.
Ndërsa LSI-ja dërgoi zv/kryetarin e saj, Luan Ramën, sipas të cilit kishte gjëra më të rëndësishme se data e zgjedhjeve.
Sipas Kodit Zgjedhor, Presidenti duhet të shpallë datën e zgjedhjeve jo më vonë se 9 muaj para përfundimit të mandatit të të zgjedhurve aktualë.
Top Channel