Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, bashkë me keqardhjen për ngjarjen e ndodhur sot në Bularat, Gjirokastër, ku humbi jetën shtetasi Konstandinos Kacifa, ka shprehur po ashtu “keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj”.
“Rrethanat në të cilat humbi jetën shtetasi Kacifa janë bërë të ditura zyrtarisht nga autoritetet kompetente shqiptare. Policia e Shtetit ka sqaruar me detaje se kjo është një ngjarje totalisht e izoluar nga aktivitetet e sotme ne zonë dhe nje rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për “humbje jete të papranueshme”. Duke bërë thirrje për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të këtij rasti sa të qartë dhe të paprecedentë, i sigurojmë fqinjët tanë se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke”, lexohet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Top Channel